#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
Power Kidz 8 – Faza.2
Fëmijët konkurrues • Faza.2 / Java.8: Nikolas, Anja, Roan, Amina, Omer
Me pjesëmarrjen e: Denata Toçe – Psikologe, Aurel Vula – Pediatër, Edi Gogu – Shkrimtare
“Ka një mesazh për ty”- Gratë shqiptare frymëzuese në Malin e Zi
E pamposhtur! Nënë e 4 fëmijëve dhe e ve, Sandra vijon misionin e bashkëshortit
“Ka Një Mesazh Për Ty” ka dalë nga studioja e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për të shkuar tri orë larg Tiranës, në Podgoricë. Me rastin e festës së 8 Marsit, është organizuar një festë për gratë shqiptare që jetojnë në Mal të Zi. Ambasadorja e Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto ka ftuar Ardit Gjebrean për të zbuluar historitë e grave që përpiqen të ruajnë identitetin.
Siç ajo shpjegon, shqiptarët në Mal të Zi kanë bërë progres pasi mund të përdorin gjuhën, simbolet kombëtare, kanë shkolla shqipe dhe një degë në universitet, por ka ende punë përpara. Ndihet ende mungesa e përfshirjes së tyre në administratë e qeveri dhe përpjekjet nuk reshtin.
Në prezantimin me gratë shqiptare në Mal të Zi ndahen historitë e tyre. E para është Sandra e cila drejton një prej televizioneve të para shqiptare atje duke vijuar misionin e bashkëshortit të ndjerë. Sfidës së Sandrës si grua shqiptare në Mal të Zi i shtohet edhe të qenët nënë e 4 fëmijëve, por ajo është e vendosur për të mos u dorëzuar.
Ardit Gjebrea: Si e keni hapur televizionin?
Sandra: Televizionin e ka hapur bashkëshorti im i ndjerë në vitin 2001 dhe si ide që të jetë një shtëpi ku të gjithë shqiptarët mund të vijnë, flasin dhe të kenë zërin, çdokush të kenë derën hapur që të thonë atë që u mungon, që kanë dëshirë dhe çfarë u takon normalisht shqiptarëve në Malin e Zi.
Ardit Gjebrea: Ju thoni bashkëshorti i ndjerë, nuk jeton më?
Sandra: Nuk jeton më që prej 15 vjetësh.
Ardit Gjebrea: 15 vite, pra pas 9 viteve ju duhej juve që ta udhëhiqnit.
Sandra: Po.
Ardit Gjebrea: Ishte e vështirë?
Sandra: Shumë. Ishte e vështirë sepse humb shokun e jetës, humb të gjitha ëndrrat, dëshirat, planet që ke pasur dhe duhet të vendosësh që çfarë do të bësh. A do ta mbash tashmë këtë barrë sepse ka goxha obligime, sakrificë, edhe kur ke 4 fëmijë shumë të vegjël.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishin?
Sandra: Vajza e madhe ishte 11, djali është me spektrin e autizmit, djali kishte 8, vajza tjetër kishte 4 dhe e vogla kishte 2.
Ardit Gjebrea: A ka pasur ndonjë moment që thonit se duhet ta mbyll televizionin?
Sandra: S’ka pasur ndonjë moment që do ta them se duhet ta mbyll, por ka pasur momente që kam thënë pse, çfarë më duhet mua gjithë kjo sakrificë e gjithë kjo punë? Por ku e di unë, njeriu forcohet, e kam marrë si mision të burrit tim. Ai e ka pasur si fëmijë të vetin, nuk e ka parë më si biznes, e ka parë si diçka që donte ta bënte për shqiptarët e Malit të Zi.
Familja u shpërngul në Kosovë për të ruajtur gjuhën shqipe, piktorja rebele lë SHBA-në për Hotin
Përtej vështirësive e sfidave, gratë shqiptare në Mal të Zi kanë vendosur që çdo ditë, nga pak, pa ndalur, të kontribuojnë që identiteti të ruhet. Në një aktivitet të veçantë për 8 Marsin, të ndjekur nga afër nga rubrika “Ka Një Mesazh Për Ty” në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ato rrëfejnë historitë e tyre.
Ambasadorja e Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto, e prezanton Ardit Gjebrean me këto gra luftarake që armën më të mirë kanë talentin e mendjen e tyre. Kaltrina është piktorja sa rebele, aq edhe intelektuale që refuzon t’i dorëzohet harresës. Familja e saj sakrifikoi për të ruajtur gjuhën dhe pas 32 vitesh në SHBA, ajo u kthye te rrënjët e veta në Hot.
Ardit Gjebrea: Çfarë ju lidh juve me Hotin? Mos kujtoni që nuk kam informacion!
Kaltrina: Hoti është vendlindja ime. Është një ndër ngjyrat e shpirtit tim.
Ardit Gjebrea: Unë di një detaj që është shumë i rëndësishëm: për të ruajtur gjuhën, familja juaj u shpërngul në Kosovë për të vijuar në momentet e vështira që po kalonin shqiptarët.
Kaltrina: Po. Pikërisht unë nuk e kam ditur gjuhën shqipe kur kam shkuar në klasë të parë. Ia kam borxh Kosovës mundësinë për të ruajtur gjuhën. Më vonë, kur erdhi ajo era e jetës që na detyroi të shkojmë edhe më larg, shkuam në Nju-Jork dhe aty ishte një periudhë e gjatë e jetesës sime, 32 vite dhe dikur e kuptova që të gjitha ato që jam duke i kërkuar, ishin në Hot, nuk janë në Nju-Jork. Të gjithë çuditen dhe shpesh më pyesin, si mundesh..
Ardit Gjebrea: Pas 32 vitesh.
Kaltrina: Por unë nuk pajtohem shumë me atë pyetje të them të drejtën se ne kur kemi shkuar nuk e kemi ditur kulturën e atij populli ku po shkojmë, nuk e kemi ditur sesi të marrim një njeri dhe ta hedhim midis malit dhe kemi arritur. Para se të kthehesha, isha autore e tre librave në gjuhën angleze, u bëra piktore e njohur në atë zonë, bëra ekspozita dhe kur e pashë që dyert po hapeshin atje, atëherë thashë çfarë dua në realitet? A të rri, nuk do të them që do të isha më e mira në botë se në art nuk ekziston fjala më i miri, më e mira se të kisha ndenjur atje unë atje, do të isha artiste.
Ardit Gjebrea: Po të kishe ndenjur, si do të takoheshim ne?
Kaltrina: Hë pra! Kjo galeri që është hapur në Hot ka një rëndësi tepër të madhe sepse unë në Hot gjeta njeriun pa zemër duke vdekur. Njeriu është njeriu, ka zemër, vdes lehtë, por njeriu që s’ka zemër është duke vdekur, ajo ishte shumë e vështirë.
Ardit Gjebrea: Pse?
Kaltrina: Sepse aty e pashë asimilimin e vazhdueshëm modern dhe për të mos hyrë shumë thellë në politikë, ky popull që ka mbetur në Hot që i takon Plavës, ishte i injoruar nga të gjithë, së pari nga njeriu vetë e të tjerat. Aq më bënte një dhimbje të madhe që në 6 vitet e fundit, asgjë tjetër s’mund të shpreh në pëlhurë përpos dhimbjes që shoh në ballin e tyre rrugës, në pëshpëritjen e njerëzve kur flasin shqip fshehtas.
Shkroi historinë e maternitetit në Ulqin, rrëfimi i mjekes së parë shqiptare në Malin e Zi
8 Marsi është Dita e Gruas për të festuar qenien e saj, por festa s’do të qe e plotë pa kuptuar sfidat dhe fitoret e gruas edhe kur duket e pamundur. Gratë shqiptare në Mal të Zi janë një nga rastet kur sakrifica me dëshirën për të bërë ndryshimin dhe ruajtur identitetin, bashkohen duke rezultuar në një triumf.
Në vizitën në Podgoricë në kuadër të një aktiviteti që ambasada shqiptare në Mal të Zi ka organizuar, drejtuesi i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea njihet me disa histori. Gratë e vajzat shqiptare në Mal të Zi ndajnë rrëfimet e tyre me rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” si Sabina që i është dashur të tejkalojë paragjykimet për të studiuar në Austri dhe dhënë më pas kontributin e saj.
Mbresëlënëse është edhe historia e Zylfie Gjoni Durakut, mjekes së parë shqiptare në Malin e Zi që e ka ndier diskriminimin në lëkurë. Duke iu mohuar specializimi, ajo la punën që të shkonte në Novisad e të kthehej si mjeke gjinekologe. Bashkë me dy kolege të sajat, kanë kontribuar në çeljen e maternitetit në Ulqin që pati një nisje të mbarë që në ditën e parë të tij.
Ardit Gjebrea: Në cilën moshë ju keni filluar të ushtroni profesionin si mjeke?
Zylfie Gjoni Duraku: Në moshën 25-vjeçare. Ka qenë një kënaqësi e madhe për popullintonë shqiptar kur te mjeku nuk ka pasur më nevojë të marrin përkthyer për të përkthyer një pacient, por janë në gjuhën shqipe kështu që ka qenë vërtet shumë mirë për ta dhe për mua të jap kontrbutin tim popullit tim. Dihet, ne kemi qenë të diskriminuar, ana jonë profesionale ndoshta që personalisht unë kam përjetuar diskriminim për fat të keq. Unë si mjeke kam punuar për 13 vite në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin dhe nuk më është dhënë specializimi. Duke mos m’u dhënë një specializim, kam lënë punën në kohën kur ndoshta dikush kërkon punë, unë kam lënë punën vetëm e vetëm të kryeja specializimin e gjinekologjisë për arsye se kemi pasur një mjek shqiptar i cili vdiq shumë i ri dhe gratë në Ulqin mbetën pa gjinekolog. Atëherë ia kam vënë vetes detyrë që të lë fëmijët, të shkoj në Novisad me vetëfinancim, me vetëfinancim kam kryer specializimin për t’u kthyer si gjinekologe e për të ndihmuar gratë tona. Jo vetëm unë, kam dy koleget e mia që jemi rast unik në Mal të Zi dhe jemi bërë faktorë kyç për çeljen e maternitetit në Ulqin, në 2005, është çelur materniteti në Ulqin që kemi bërë një punë shumë të madhe dhe ka qenë kënaqësi e madhe që ditën e parë që është çelur materniteti kemi lindur fëmijën e parë, banorin e parë të Ulqinit. Ajo do të mbetet për mua, gjëja më e bukur e atij materniteti që Ulqini është bërë me banorët e vet se ne kemi lindur në spitale të tjera dhe shkruhej banor i Tivarit, nuk shkruhej banor i Ulqinit dhe për mua, profesioni im nuk ka qenë vetëm profesion, por ka qenë mision! Pra të jemi shqiptarë, të lindim aty ku kemi të drejtë dhe të shkruhemi se jemi banorë të Ulqinit, të kemi të drejtën të flasim këtë gjuhë të bukur, të ruajmë kulturën tonë, identitetin tonë, të luftojmë për të drejtat tona, legjitime dhe të mos heqim kurrë dorë!
“Ka një mesazh për ty”- Miqësia 46 vjeçare që lindi nga babai
Dita e trishtë që solli miqësinë e përjetshme: Nga konvikti drejt rrugës së shtëpisë
Në një ditë të errët, Rozi gjeti një familje që nuk e kishte imagjinuar se do ta kishte. Siç tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty”, është lindur në Bushat të Shkodrës, më pas jetoi në Fushë-Arrëz të Pukës dhe erdhi në Tiranë për studime.
Kishte pak muaj që gjendej në kryeqytet dhe më 1 Maj të 1977-ës, shkolla qe pushim dhe mund ta kalonin fundjavën në shtëpi. Kujdestarja nuk e lejoi Rozin duke menduar se Fushë-Arrëzi qe shumë larg dhe e trishtuar, ndenji në konvikt.
Ajo pasdite nuk do të mbyllej aty, por në shtëpinë e gruas që Natasha ka ftuar sot në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.
Rozi: Vonë, duke u errur, kur shoh shoqen të cilën kam ftuar, Natasha nga Kruja, e shoh me një burrë të cilin nuk e njihja atë burrin se nuk e kisha takuar ndonjëherë. Ai zotëria më përshëndet, më thotë “gocë, çkemi, mirë?” Dhe hyn brenda te zyrat e konviktit, Natashën e lë me mua. I them, Natashë, kush është ky? Tha “babi”, ah lala se i thërrisnin lalë krutanët. Në atë kohë me Natashën nuk kam qenë shoqe e ngushtë dhe i them për çfarë keni ardhur dhe thotë “kemi ardhur për të të marrë” sepse kjo kur ka shkuar në shtëpi e kanë pyetur prindërit dhe kjo iu ka thënë që “një shoqe është vetëm në konvikt, shoqe klase”. Ky i ka thënë “hajde të shkojmë të marrim gocën”, pa hiç, pa menduar, pa asgjë.
Ardit Gjebrea: Të të merrnin në shtëpinë e tyre?
Rozi: Po, vijnë atje, i marrin leje kujdestarisë. Në atë kohë mbaje përgjegjësi për atë person që merrje në shtëpi.
Ardit Gjebrea: Sigurisht.
Rozi: Të marrësh në shtëpi një person që s’e njeh dhe nuk është prej aty afër…
Ardit Gjebrea: Dhe 16 vjeçe!
Rozi: Dhe vajzë për ta cilësuar pak më shumë, ishte një përgjegjësi shumë e madhe. I thashë Natashës si të më marrësh në shtëpi se të jesh shoqe e ngushtë edhe të merr se njihesh, por s’njiheshim, vetëm shoqe e thjeshtë. Vjen lala dhe thotë “hajdeni goca tani” dhe na merr të dyja, na hedh dorën në sup e na merr me vete dhe nisemi për Krujë. Me thënë të drejtën, unë krejt e shtangur se s’njihesha dhe kam ndenjur të premten mbrëma, të shtunën e deri të dielën pasdite. Që atë ditë, më 30 prill të ‘77-ës dhe deri sot, ne hyjmë dhe dalim me ta, kemi miqësi. Vitin e dytë të shkollës Natasha marton vëllanë dhe lala na thërret familjarisht. Më habit diçka, respekti që na dhanë sepse na caktuan dasmorë që të shkonim të merrnim nusen.
Ardit Gjebrea: Si krushq?
Rozi: Si krushq. Në veri, të respektosh kështu është diçka shumë e madhe. Harrova diçka, që, në këtë periudhë që ishim në shkollë, rruga Tiranë-Krujë u bë për mua u bë shtëpi.
Ardit Gjebrea: Shkoje shpesh?
Rozi: Shumë shpesh.
Ardit Gjebrea: Më shpesh shkoje në Krujë sesa në Fushë-Arrëz.
Rozi: Në Fushë-Arrëz shkoja vetëm kur mbyllej shkolla, njëherë në vit.
Pengu i Rozit në këtë miqësi të gjatë me Natashën është dasma e kësaj të fundit. Një vonesë bëri që ajo mos ta shihte dot shoqen e ngushtë me fustan të bardhë. Në dasmën e Rozit, Natasha erdhi duke i dhuruar të gjithë botën. Edhe në muajin e mjaltit, Rozi zgjodhi të qëndronte te “njerëzit më të mirë që ekzistojnë.
Rozi: Në atë kohë nuk funksiononin mirë, telefona e gjëra kështu s’kishim dhe telegrami nuk mbërriti. Kështu më ka ngelur pak…
Ardit Gjebrea: Nuk dinit gjë ju se kur…
Rozi: Ne s’dinim se kur do të martohej, asgjë.
Ardit Gjebrea: Por kur e morët vesh?
Rozi: Ne e kemi marrë vesh pas…më pak se një viti. Atëherë kam shkuar me vëllanë, e kam takuar Natashën me gjithë të shoqin, Fatmirin, që siç ka emrin është i shoqi.
Ardit Gjebrea: Pra ju i keni ruajtur lidhjet?
Rozi: Posi! Mbrapa, kur jam martuar unë, janë lajmëruar dhe thashë uh, erdhën këta, sikur më erdhi tërë bota! Im shoq, Ludoviku, duke qenë oficer, duke qenë në gatishmëri nuk i jepnin shumë leje asokohe se ishte gatishmëri, na sulmon ish-jugosllavi dhe i dhanë pak leje, vetëm 10 ditë.
Ardit Gjebrea: Pra nuk ishte një muaj mjalti ose të paktën dy javë, nuk ishin.
Rozi: Jo.
Ardit Gjebrea: Ku i kaluat ato 10 ditë, në cilin qytet bregdetar shkuat, në cilin plazh apo…
Rozi: Në qytetin dhe njerëzit më të mirë që ekzistojnë, te lala.
Ardit Gjebrea: Te lala! Bëre muajin e mjaltit te shtëpia e lalës?
Rozi: Te lala.
Ardit Gjebrea: Domethënë ato ishin pushimet më të bukura për ju.
Rozi: Më të bukura! Ato u prezantuan,ndenjën dhe lala thoshte “sa lezet, martova vajzën, doli prej shtëpisë së vajzërisë dhe erdhi prapë te shtëpia e vajzërisë”.
“Jemi motra gjaku, kemi prerë gishtat…”, miqësia që u forcua nga koha!
Miqësia e Rozit me Natashën është thuajse 50-vjeçare, kur të dyja ishin veçse shoqe klase. Do të ishte një mbrëmje në prag të 1 Majit kur Rozi, e mbetur në konvikt dhe e trishtuar do të gjente pikërisht këtë miqësi që i ndryshoi jetën. Ajo tregoi në “Ka Një Mesazh Për Ty” sesi Natasha, pa e pasur shoqe të ngushtë, bashkë me të atin e morën në shtëpinë e tyre në Krujë për të ndenjur me ta. Nga ajo ditë, shtëpia e Natashës u kthye në të Rozit duke gjetur gjithnjë ngrohtësinë.
Vitet nuk e zbehën dot forcën e kësaj miqësie të bukur e të gjatë. Teksa Natasha hyn në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për të mësuar se kush e ka ftuar, dyshimi i parë është motra e gjakut, Rozi.
Natasha: Kam një motër tjetër që jeton në Itali.
Ardit Gjebrea: Motër tjetër me nënë tjetër?
Natasha: Jo, është motër gjaku ajo. Jemi njohur në shkollë kur kemi qenë këtu në Tiranë dhe kemi prerë gishtat të dyja bashkë…
Ardit Gjebrea: Dhe jeni bërë motra.
Natasha: Po.
Ardit Gjebrea: Dhe më shumë të qan zemra për atë motrën që ke prerë gishtin sesa ato që…
Natasha: Për të gjitha!
Ardit Gjebrea: Për të gjitha patjetër, por pse këtu te kjo?
Natasha: Po sepse ajo nuk kishte motër vetë.
Ardit Gjebrea: Dhe të ka bërë motër ty.
Natasha: Dhe unë tha të dyja për motër. Preu gishtin ajo, e preva edhe unë.
Ardit Gjebrea: Dhe ajo jeton në Krujë apo në Itali?
Natasha: Jo, ajo është në Itali, është shkodrane. Është e krishterë, unë jam myslimane, por jemi puqur këtu e 50 vjet bashkë.
Parandjenja e Natashës nuk gaboi aspak sepse pas murit qëndron Rozi, me një mesazh të ndjerë.Rozi: Natasha… të vërtetën, në atë vend aty duhet të ishte, rahmet pastë, lala. Ardhja ime nga Italia këtu, për atë veprim që ka bërë ai në atë kohë nuk është asgjë. Për këtë arsye them që faleminderit atij, se ai na hapi rrugën, mbrapa vazhduam ne. Sot ne jemi nga dy shoqe 16-vjeçare, konviktore dhe nuk ka ardhur duke u ftohur, por duke u forcuar e shtuar miqësia. Ndihem e lumtur dhe shpresoj që fëmijët e nipërit tanë të vazhdojnë miqësinë sepse kjo sjell kënaqësi shpirtërore.
“Shihemi në Gjyq” – Gjykata i ndalon nënës 4 fëmijët
E lënduar në shpirt, Hana përballet me babain: Dhe fjalën në mes të rrugës, më fejove për tri ditë!
Hane është nënë e katër fëmijëve, por sot është e vetme në mes të rrugës. Ajo ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” babain e saj sepse siç shprehet në insertin prezantues të rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ai nuk e pranon në shtëpi.
“Jam nënë e katër fëmijëve. Më kanë nxjerrë nga shtëpia. Fëmijët m’i kanë mbajtur. Babai nuk më pranon, as vëllai. Jam në mes të katër rrugëve. Unë pa fëmijët nuk jetoj dot!”
Rexhepi flet me urrejtje kundrejt së bijës dhe thotë se nuk dëshiron ta shohë.
“Unë fëmijët i kam rritur, i kam edukuar, i kam martuar. Tani nuk e di se çfarë kërkojnë prej meje. Unë atë që ka ardhur këtu nuk dua ta shoh fare!”
Në përballjen e tyre në studio, babai i kërkon llogari vajzës se cila është arsyeja që e ka kërkuar. Mes lotësh, Hana i përgjigjet: “Jam e lënduar në shpirt se e di mirë në jetën time ti se ç’kam hequr, se kam bërë mundim, sakrifica, në shtëpinë tënde si të kem qenë djalë më ke trajtuar!”
Sipas versionit të Rexhepit që merr fjalën i pari duke përshëndetur më në fund, ai thotë se ka ndjekur traditat e Kukësit dhe e ka martuar vajzën. Hana kundërshton dhe thotë se i ati e ka fejuar e martuar brenda tri ditësh.
Rexhep: Ne kemi tradita në Kukës! Nuk kemi tradita për të folur kot më kot! A more vesh?
Eni Çobani: Kush po flet kot më kot?
Rexhep: Unë e kam marrë, e kam martuar gocën.
Eni Çobani: Na kanë martuar edhe ne baballarët, po?
Rexhep: E kam martuar si gjithë të tjerët.
Hane: Jo, nuk është si gjithë të tjerët! Nuk është si gjithë të tjerat baba se më fejove për tri ditë, fejesë, martesë.
Rexhep: Ashtu re në pëlqim ti!
Hane: Tri ditë fejesë, martesë, më ke lënë në mes të rrugëve!
Rexhep: Ashtu ke rënë vetë ti!
Hane: Ke dhënë fjalën në mes të rrugëe pa dëshirën time baba!
Rexhep: Nuk ka qenë pa dëshirën tënde!
Hane: Nuk është e vërtetë fjala siç thua ti!
Rexhepi fajëson të bijën se ka kthyer fjalë duke mos i lënë atij hapësirë për ta mbrojtur. Hana ia kthen se ai ka vepruar pa e pyetur duke shkelur premtimin se thjesht do ta shihnin familjen duke e dorëzuar me një shtrëngim duarsh në rrugë.
Hane: Ti në mes të rrugës ke dhënë fjalën, ke thënë “për hajër të qoftë!”, mixhës së ish-burrit tim.
Eni Çobani: Kush është mixha i burrit?
Hane: Sefedin Rexhepi.
Eni Çobani: Kush ia ka dha dorën Sefedinit, Rexhepi?
Hane: Rexhepi ia ka dhënë dorën Sefedin Rexhepit, gocën ta kam dhënë për çunin e vëllait, Jakup Rexhepin.
Në vitin 2011, Hana u martua në Mikushnicë të Mitrovicës. I ati vazhdon të ngulmojë se ajo e dinte, por Hana thotë se pranoi vetëm se tashmë gjithçka kishte marrë fund.
Hane: Kur ka ardhur në shtëpi babai, më ka thënë “gocë, për hajër të qoftë se të kam fejuar”. I kam thënë si more baba e bëre këtë gjë ti? A prapë s’mendove ti që jam unë?
Rexhep: Me dëshirën tënde, ishte dëshira jote, kemi biseduar bashkë. E kemi biseduar të dy bashkë, me ty dhe nënën tënde, e kemi biseduar. Këto janë akuza kot!
Hane: Aty kam qenë unë me babain tim, me nënën time, me dy motrat e mia, njëra e fejuar e tjetra beqare dhe nuk ka pyetur asnjë, vetëm kokën e vet!
Eni Çobani: Megjithatë ti pranove dhe shkove?
Hane: Pranova për arsye se më dha, u krye çdo gjë, më fejoi babai.
Eni Çobani: Dhe ti s’ia ktheje dot?
Hane: S’ia ktheja dot.
“Do të të jap shqelma b***ës!” Keqtrajtimi çnjerëzor nga familja e burrit: Më torturoi e përplasi kokën!
Hana ka sjellë në “Shihemi në Gjyq”, babain, Rexhepin i cili e ka nxjerrë nga shtëpia. Sipas vajzës, e cila është në fakt nënë e katër fëmijëve, babai e fejoi dhe martoi brenda tri ditësh. I ati ra dakord me xhaxhain e burrit të saj, Sefedin Rexhepin.
Familja është nga Mikushnica, një fshat i Mitrovicës në Kosovë dhe sipas rrëfimit tronditës të Hanës për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.Në shtëpinë e bashkëshortit, Jakupit ajo keqtrajtohej, por më tronditës është reagimi i Rexhepit, krejt i qetë.
Hane: Unë isha llahuzë me nder…isha llahuzë me çunin e madh. Si sot të dalësh nga spitali, të nesërmen jo, të pasnesërmen kam hyrë në magje për të gatuar.
Ardit Gjebrea: Ç’domethënë llahuzë?
Hane: Llahuzë, sa kisha lindur.
Ardit Gjebrea: Ah, ishte lehonë!
Eni Çobani: Pra, ditën e tretë që ishte lehonë, ajo e ka futur në magje për të bërë bukë.
Hane: Ditën e tretë isha në magje.
Eni Çobani: Po fëmijën kush e mbante?
Hane: Nuk më linin me fëmijën, “hajde t’i grahësh punëve ti!”
Eni Çobani: Pse?
Hane: Se gjasme “ne kemi qumësht lope, e vëmë në biberon me qumësht lope çunin”. Unë iu thashë qumësht kam mjaft, këtë e kam fëmijë të parë, dua ta rris siç kam dëshirë unë fëmijën. Ju lutem, mos ma nxirrni fëmijën nga gjiri, më kuptoni se jeni nëna edhe vetë. Ato më kanë kërcyer me fjalët më të ndyra: “o idiote, o gabelicë, o e poshtër, o prostitutë!” Çfarë s’më kanë thënë dhe ngrihet e më merr zvarrë Sefedin Rexhepi…
Eni Çobani: Po mirë, Sefedinin ti e kishe xhaxhain e burrit, s’e kishe vjehërr.
Hane: S’ishte vjehrri ai, ai ishte xhaxhai i burrit.
Eni Çobani: Po pra, ky komandonte në shtëpi?
Hane: Unë nuk kisha parë që xhaxhai të ndërhynte te nusja e vëllait siç ndërhynte ai.
Eni Çobani: Zotëri, ti i ke ditur këto probleme apo…
Rexhep: Po, i di.
Ardit Gjebrea: I ke ditur?! Si thua, “po i di?”
Rexhep: I di.
Ardit Gjebrea: Si i di, ç’domethënë “po, i di?”
Hane: Më tha të të hip në makinë unë e të të çoj ty në kufi, atje në kufi të të fus në asfalt e të të jap, me nder, shqelma b***ës! Shqelma, të të nxjerr nga makina e në kufi do të të lë, jo të të çoj te babai!
Bashkëshorti i Hanës, Jakupi ka reaguar dhunshëm ndaj saj, por edhe për këtë Rexhepi reagon me qetësi.
Hane: Jakup Rexhepi, i thosha, o Jakup, është më i shëndetshëm gjiri i nënës për fëmijën, si thoni ju të ndaj fëmijën nga gjrii? Më ka futur në dorë e më ka rrahur e torturuar, me mënyra nga më të ndryshmet më ka torturuar! Imagjino, sa edhe kokën ma ka përplasur në atë çast që pse ti po ma thyen fjalën mua dhe pse po ia thyen familjes?
Eni Çobani: E ka çarë edhe në pjesën e syrit.
Ardit Gjebrea: E ka çarë?!
Eni Çobani: Po.
Rexhep: Është shumë e vërtetë.
Ish-bashkëjetuesi i merr 4 fëmijët, gjykata i cakton 1 orë e gjysmë në muaj për t’i takuar!
Në fund të pjesës së parë të “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, u zbulua se Hana nuk ka pasur kurorëzim me Jakup Rexhepin, babain e fëmijëve të saj. Nga martesa e konsumuar në shtëpinë e tij në Mikushnicë të Kosovës prej vitit 2011, gjatë së cilës ka përjetuar dhunë e keqtrajtim, kanë 4 fëmijë.
Babai i Hanës, Rexhepi që është përballë saj, deri në këtë moment ka ngulmuar se ka ndjekur traditat, por s’ka përgjigje për arsyen pse s’është kryer celebrimi. Sot Hana s’ka asnjë prej fëmijëve, është pa përkrahje nga familja e saj dhe në mes të rrugës. Jakupi nuk është pranë fëmijëve, por në Gjermani ku ka krijuar një jetë të re.
Eni Çobani: Ku është Jakup Rexhepi sot?
Hane: Jakup Rexhepi është në Gjermani. Është martuar, ka grua, pritet të bëhet baba përsëri me gruan e dytë dhe kalamajtë janë këtu në shtëpi, vetëm me gjyshen.
Eni Çobani: Ku janë 4 fëmijët e tu?
Hane: 4 fëmijët e mi janë me gjyshen në shtëpinë e ish-burrit tim, me babain e vet, Jakup Rexhepin.
Pjesa më tronditëse e kësaj historie është vendimi i gjykatës, sipas të cilit, institucionet e Kosovës ia kanë caktuar babait kujdestarinë. Hana ka të drejtë t’i shohë vetëm një herë në muaj për 1 orë e gjysmë katër fëmijët e saj që i përkasin grupmoshës 5-13 vjeç.
Eni Çobani: Në nëntor 2024, Drejtoria për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, komuna Skënderaj, i ka çuar Gjykatës së Mitrovicës në Skënderaj, Shërbimi Social i Qendrës për Punë Sociale ku kanë shqyrtuar një kërkesë të bërë nga Gjykata Themelore, lidhur me mendimin për ribesimin e fëmijëve në mes të Jakup Rexhepit në Mikushnicë dhe Hana Syla me vendbanim në fshatin Morinë, Kukës për fëmijët që përmendëm deri tani. Dhe çfarë thotë? Procedura për pajtim dështoi, pra nuk kemi pajtim. Ndërkohë, Shërbimi Social thotë që duke u bazuar në deklaratën e prindërve dhe fëmijëve të marra në datën 07.11.2024 dhe në bazë të gjendjes faktike në terren, është e mendimit që të gjithë këta fëmijë t’i besohen për ruajtje dhe edukim, babait të tyre, Jakup Rexhepit dhe mënyra e kontaktimit të prindit, nënës në këtë rast me fëmijët të mbetet një herë në muaj, të premten e parë të muajit prej orës 14:00 deri në 15:30!
“Të Panjohurit” – MELDA DELIU
I ftuari VIP: Rei Bezhani
/tvklan.al