Kryetari i bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja pati një deklaratë për emisionin “Opinion” në Tv Klan lidhur me situatën e Parashqevi Simakut. Ai tha se informacionet që ka për  këngëtaren janë që prindërit e saj nuk jetojnë më, njëri vëlla i punon në Durrës ndërsa  një tjetër është jashtë Shqipërisë.

Nisur nga ndjeshmëria si qytetar i Kavajës e më  pas si kryetar bashkie, Qosja thotë se nesër (e martë) do të propozojë përpara këshillit bashkiak një pension ekonomik për këngëtaren. E gjithë  kjo do të jetë jo vetëm si një vajzë e lindur dhe e rritur në Kavajë, por edhe si një artiste që simbolizon krenarinë për ta.

Fisnik Qosja: Reagimi im në radhë të parë ishte i ndjerë nga ana njerëzore, pastaj reagimi tjetër ishte si kryetar bashkie.Unë fola me njerëzit e afërt të mitë dhe thashë që unë do të bëj këtë reagim, do të ndihmojmë Parashqevi Simakun sepse është krenaria e qytetit të Kavajës dhe nga nesër do i propozoj këshillit bashkiak që t’i krijojmë një mundësi financiare, një pension të përjetshëm ekonomik aq pozitiv sa mundet një bashki si Kavaja, por gjithsesi gjesti dhe mënyrat që ne ta ndihmojmë Parashqevi Simakun do të jetë maksimale.

Qosja shton se kjo është e mbështetur edhe nga legjislacioni, por Kavaja e ndien si detyrim moral ndaj ikonës së muzikës.

Fisnik Qosja: Ligji e lejon, por ti e di shumë mirë që ka pasur shumë biznesmenë dhe unë i kam dëgjuar reagimet, i kam lexuar të gjitha dhe bravo u qoftë atyre, por ne e kemi detyrë morale si kavajas, si shtëpia e saj që t’i ofrojmë që ajo të rikthehet në qytetin e saj, aty ku u lind, u formua, u rrit dhe ka dhënë një kontribut shumë të madh për të, pra ne jemi pak ndryshe nga të tjerët./tvklan.al