Konservatorët gjermanë nën udhëheqjen e Friedrich Merz u zotuan të formojnë shpejt një qeveri të re pas fitores së tyre në zgjedhjet parlamentare.
Duke qenë se nuk siguroi dot numrin e deputetëve që i duhen për të qeverisur i vetëm, Merz i duhet të bashkëpunojë me parti të tjera dhe si më të përshtatshmen sheh partinë e Kancelartit Olaf Scholz. Merz shpreson që të formojë një qeveri të re deri në muajin Prill.
“Përfshirë 120 vendet e socialdemokratëve, bëjmë 328 deputetë, të mjaftueshëm për formimin e një qeverie koalicioni kuq e zi. Kam mbështetje të plotë nga kryesia e partisë time. Bisedimet janë përgatitur dhe do të nisin për pak ditë”, tha Friedrich Merz, kandidat për Kancelar.
Bashkëkryetari tjetër i partisë së Olaf Scholz në një konferencës për shtyp thotë se gjithçka do të vendoset nga strukturat e partisë.
“Nëse do të formohet një qeveri, nëse partia jonë do t’i bashkohet, nuk është e sigurt. Këto janë vendime që do të merren në javët dhe muajt në vijim. Megjithatë, e bëra shumë të qartë: topi është së pari në fushën e Friedrich Merzit, për t’iu afruar socialdemokratëve, për të kërkuar dialog dhe për të negociuar. Më pas do të vendosin anëtarët e partisë socialdemokratike”, tha Lars Klingbell, bashkëdrejtuesi i social-demokratëve.
Por partitë i presin bisedime të vështira për të rënë dakord rreth propozimeve me shumë dallime për ringjalljen e ekonomisë, e cila ka pësuar tkurrje në dy vitet e fundit dhe mënyrave se si ta kufizojnë imigrimin e jashtëligjshëm. Bisedimet ndërmjet këtyre dy partive gjatë javëve të ardhshme do të përcaktojnë nëse konserveratorët duhet të zgjerojnë bisedimet për përfshirjen e Partisë së Gjelbër në koalicionin qeverisës.
Socialdemokratët dolën të tretët në renditje në këto zgjedhje, pas partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, Të Gjelbrit, në vend të katërt me 11% dhe Linke në vend të pestë me 8.7 %.
Klan News