Një titan në muzikë, nënë e dy fëmijëve, biznesmene dhe imazhi më i ri i Dior J’adore. Rihanna ka formësuar shumë momente të kulturës pop qoftë në fushën e muzikës, modës apo bukurisë që prej momentit kur u prezantua me “Pon de Replay” në vitin 2005. Ishte vetëm 17 vjeçe, asokohe ishte koha e artë e popit ku spikasnin Mariah Carey, Missy Elliott dhe Destiny’s Child, por ajo ia doli të krijonte vendin e saj.
Dy dekada dhe shumë epoka më vonë, Rihanna nuk është më një yll popi por një superyll. Kohëzgjatja e saj është shumëfishuar nga dëshira për të guxuar. Ajo guxon të refuzojë atë që mendohet se një i famshëm duhet të përfaqësojë, ajo guxon të tërhiqet për nëntë vjet nga muzika sepse e di që askush s’do ta harrojë.
Albumi i saj i fundit, “Anti” ishte në vitin 2016 dhe fansat janë të paduruar nga pritja e gjatë. Tani, ajo po planifikon një rikthim që do të jetë po aq legjendar, detajet e të cilit i ka ndarë në intervistën e fundit me Harper’s Bazaar.




Rihanna tregon se më në fund ia ka dalë ta dëgjojë albumin e saj të aq shumë kritikuar pa sikletin që mund të ndiesh kur dëgjon regjistrimin e zërit tënd. Kjo kohë e kaluar me këngët e saj i përforcoi mendimin se ku dëshiron ta lartësojë tani.
“Mendoj që muzika është liria ime. Sapo e kam kuptuar. Sapo gjeta kodin se çfarë dua vërtet të bëj në projektin tjetër. Ndihem shumë mirë për këtë. E di që e kam thënë vazhdimisht ndër vite”.
Ka pasur shumë thashetheme për albumin e ri që fansat e kanë quajtur “R9”. Në vitin 2018, u përfol për një album “reggae”, por ajo e bëri të qartë:
“Nuk ka një zhanër tani. Ja pse kam pritur. Çdo herë thosha ‘jo, s’jam unë. S’është e duhura. S’përshtatet me rritjen time. S’përshtatet me përparimin tim. S’mund ta bëj. S’i besoj kësaj. S’mund ta performoj për një vit rresht në turnet. Pas ca kohësh, teksa e shihja, thosha që kaq shumë kohë larg muzikës duhet të ketë rëndësi për njerëzit që do e dëgjojnë. Duhet t’u tregoj që pritja vlen. S’mund të nxjerr diçka mediokër. Pas tetë vitesh pritje, mund që të prisni ca më shumë”.
Hollësitë ajo i mban për vete por thotë se “ndihet shumë optimiste”.
“E di që koha larg fëmijëve të mi do të lulëzojë diçka që s’është ujitur për tetë vjet. Kam qenë në studio për tetë vjet. Por nuk më vinte. Po e kërkoja. Kalova faza për çfarë doja të bëja. ‘Këtë lloj albumi, jo atë album’. E di që s’do të jetë ajo që njerëzit presin. Nuk do të jetë komercial apo radiofonik. Do të jetë ajo ku arti im meriton të jetë tani. Më në fund e kam gjetur!”
Katër ditë më parë, më 20 shkurt, Rihanna festoi 37-vjetorin e lindjes.