PD ka vijuar takimet me shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, Kryetari i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi dhe një grup deputetësh kanë zhvilluar një takim me shqiptarët që jetojnë në Milano. Teksa kërkoi votën e tyre më 11 Maj, Bardhi pati akuza për korrupsion ndaj qeverisë “Rama”.

“Çmimet e banesave në Shqipëri, janë njësoj sikur po blen një apartament në Milano. Dhe e dini pse? Sepse sektori i ndërtimit është ngushtuar në një dorë njerëzish që pastrojnë ose paratë e korrupsionit, ose paratë e krimit të organizuar. Sot në Shqipëri nuk ka meritokraci sepse ju e dini miqtë e mi se vendet e punës në administratë shtetërore gjatë qeverisjes së Ramës janë rezervuar për patronazhistët”, tha Bardhi.

Deputetja Jorida Tabaku tha se vota e diasporës do të shërbejë për të ndryshuar sisteme në vendin tonë.

Që ka ardh radha e Edi Ramës për të ikur, ka ardhur me kohë. Po Edi Ramën do ta heqim ne me votën tonë, do të heqi diaspora me votën e vet. Sot është modeli i kriminelit, modeli i atij që vjedh, modeli i atij që zhvat. Do ta rrëzojmë atë sistem që sot është bërë barra më e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe ne do të ngrejmë një model të drejtë, një model që i jep vlerë punës, i jep vlerë njeriut të punës, i jep vlerë sipërmarrjes. Një model me taksa të ulëta dhe të sheshta. Një model që vlerëson punën, djersën”, tha Tabaku.

Demokratët i bën thirrje diasporës që të regjistrohen deri më 4 Mars, duke thënë se vota e tyre është e rëndësishme për të patur rotacion politik në vendin tonë.

Klan News