Kjo është Drita Gordi, ndër të vetmet artizane të Prezës, që traditën mijëra vjeçare të punës në tezgjah e ka kthyer në biznes. Sipas Dritës, kjo është një punë e bukur, por kërkon shumë përkushtim.

Ajo tregon se kalon në dorë çdo fije peri. Sepse çdo gjë llogaritet, që edhe vijat të përputhen. Punën e saj, veç se e ekspozon në dyqan, reklamën më të mirë e bën nëpër rrjeteve sociale, nga ku ka siguruar dhe shumë klientë.

Për të mos humbur kjo traditë shekullore, duhet që të trashëgohet nga brezi në brez. Dhe ndaj Drita tregon se këtë traditë të bukur po ia mëson edhe vajzës së saj, Jonidës.

Veç se punon në tezgjah, Drita e mbështetur edhe nga familja e saj, ka arritur që prej disa vitesh të hapë që dyqan suveniresh në hyrje të fshatit të Prezës, që t’u shërbejë vizitorëve të zonës. Veç punimeve të dorës, aty gjenden edhe gjera antika, si dhe punime në qeramikë, për të cilat vizitorët shprehin interes.

“Veç punimeve artizanale në tezgjah familja Gordi kanë ngritur dhe një restorant të cilin e administrojnë të dy, Drita dhe Beni”, raporton gazetarja Ermelinda Hoxhaj.

Preza është vetëm 22 km larg Tiranës. Fshati veçse ka një peizazh dhe natyrë të bukur, të ofron edhe një pamje të mrekullueshme të fushave të Tiranës, maleve të Krujës, aeroportit. Por pavarësisht afërsisë me Tiranën, Drita dhe bashkëshorti i saj thonë se Preza është mënjanuar, ajo nuk është bërë pjesë e guidave turistike. 

Një nga pikat më të frekuentuara është kalaja e Prezës, një kala tipike mesjetare.

Klan News