“PA BLETE SKA JETE”, kjo është tabela hyrëse në parkun e bletëve të 66-vjeçarit Ramazan Tola, i cili prej më shumë se 4 dekadash mbarështron bletë në zonën e Prezës. Sipas tij, kjo punë veç përkushtimit kërkon edhe shumë pasion.
Ramazan Tola, bletërritës: Kam që në ‘79 që merrem me bletë. Që nga viti 2001 e këtej i kam shtuar në mënyrë masive ku kam shkuar deri në 200 koshere bletë. Bleta do punë vazhdimisht. Do edhe shnet edhe buxhet siç themi ne.
Tola ndryshe njihet si mjeshtri i prodhimit të qumështit të bletës.
Ramazan Tola, bletërritës: Që të prodhojë qumështin ajo do të ketë të paktën 18 rrugë mizë. Kur të mbushet komplet shkon në 60-70 mijë individë. Unë zakonisht marr rreth 7 kile qumësht blete në vit. E kam me porosi, vijnë e marrin vetë. Kam kërkesa e më shumë, por nuk arrij t’i plotësoj sepse nuk kam fuqi punëtore.
Shqetësim për bletarët mbetet sëmundshmëria në bletari dhe mungesa e protokolleve nga ministria e Bujqësisë.
Ramazan Tola, bletërritës: Mjekimet që bëjmë ne nuk janë rezultative. Ka fituar një lloj imuniteti. Pavarësisht se i kombinojmë mjekimet përsëri kemi vështirësi. Nëse e gjitha zona mjekohet brenda javës them që kemi përmirësim. Duhet ta mbajmë në kufi minimal. Unë e mjekoj parkun rregullisht dhe kur vjen puna infektohet përsëri.
Për të gjetur ushqim për bletët ato duhet të shtegëtohen në vende të tjera ku ka bimësi. Por veç kostove, të transportiti dhe tokës me qera, bletërritësi thotë se shtegëtimet bëhen pa plan.
Ramazan Tola, bletërritës: Transporti bëhet gjithmonë natën. Ka kosto, sepse të shkosh deri në Reç të Shkodrës, dy rrugë shkojnë 300 mijë Lekë të vjetra, plus që do shkosh çdo javë vetë që t’i shërbesh. Rezultatet për pesë vitet që kam shkuar unë kohët e fundit kanë qenë shumë të këqija. Nga koha edhe mbingarkesa e kullotës, se shkojnë rreth mbi 8 mijë koshere bletë grumbullohen të gjitha. Nuk ka një studim të mirëfilltë se sa mba një kullotë se ne shkojmë me leje nuk shkojmë pa leje. Nuk marrim prodhimin.
Ai ka dhe një apel për qeverinë.
Ramazan Tola, bletërritës: Shteti të ndërhyjë në mjekim. Të ndiqet nga Drejtoria e Bujqësisë dhe problem tjetër është pyllëzimi. Vetëm presim dhe kur vjen puna nuk mbjellim asnjë pemë mjaltëdhënëse. Duhet të mbjellim Blirin, Akacian e këto që janë mjaltëdhënëse.
Bletarët që kanë nga 50 deri në 150 koshere përfitojnë 1000 Lekë për koshere nga skema e subvencionimit në bujqësi. Edhe këtë vit aplikuan mbi 4 mijë bletërritës mes tyre edhe Ramazan Tola.
Klan News