Një shumicë e amerikanëve besojnë se Presidenti Donald Trump po tregohet shumë “i paqëndrueshëm” me politikat e tij të cilat kanë tronditur ekonominë amerikane, pasi vendosja e tarifave ndaj disa prej partnerëve kryesorë tregtarë të vendit po godet tregjet e aksioneve.
Një sondazh i ri i Reuters/Ipsos tregon rreth 57% e të anketuarve, përfshirë një në tre republikanë, shprehen se politikat e presidentit nuk janë edhe aq të sigurta pasi përpjekjet e tij për të taksuar importet kanë shkaktuar një luftë tregtare globale.
Në vend të kësaj, amerikanët duan që Trump të vazhdojë të përqendrohet në luftimin e çmimeve të larta, edhe pse ka shqetësime në rritje se politikat e tij do të rrisin kostot, zbuloi sondazhi.
Vendosja e tarifave nga Trump ndaj aleatëve si Kanadaja dhe Meksika dhe refuzimi i tij për të përjashtuar një recesion ka trembur tregjet amerikane. Si përgjigje, Shtëpia e Bardhë ka thënë se disa humbje ekonomike afatshkurtra mund të jenë të nevojshme që Trump të zbatojë agjendën e tij tregtare, e cila synon të kthejë prodhimin në SHBA.
Wall Street është tronditur nga disa nga ndryshimet e politikës së Trump-it. Të martën, Trump njoftoi tarifa më të rënda për metalet kanadeze duke shkaktuar rënie të aksioneve dhe më pas hoqi kërcënimin më vonë pasi Kanadaja bëri një lëshim.
70% duke përfshirë nëntë në 10 demokratë dhe gjashtë në 10 republikanë, thanë se prisnin që tarifat më të larta do t’i bënin ushqimet dhe blerjet e tjera më të shtrenjta. Nga ana tjetër 44% e të anketuarve thanë se e miratonin punën që Trump po bënte si president. Popullariteti i tij ra teksa amerikanët i tremben çështjes së kostos së jetesës.
Inflacioni është shqetësimi kryesor i të anketuarve në sondazh. Gjashtë në dhjetë të anketuar thanë se kjo ishte çështja që ata mendonin se Trump duhet t’i jepte përparësi, shumë më tepër se ata që cituan prioritete të tjera presidenciale, duke përfshirë adresimin e emigracionit dhe luftimin e krimit.
Disa analistë kanë paraqitur një pamje më të zymtë. Banka e investimeve JP Morgan e sheh rrezikun e një recesioni të SHBA-së këtë vit në rreth 40% dhe e konsideron një rënie ekonomike edhe më të mundshme nëse Trump vazhdon me një valë tjetër të planifikuar tarifash në prill.
“Tashmë, Shtëpia e Bardhë ka rritur tarifat për mallrat e prodhuara në Kinë dhe për një gamë të gjerë pjesësh të importuara të automobilave dhe traktorëve, materialeve të ndërtimit dhe pjesëve të makinerive, shumica e të cilave janë blerë nga Kanadaja dhe Meksika. Kanadaja dhe Bashkimi Evropian u zotuan të mërkurën të hakmerren ndaj produkteve amerikane. Inflacioni, i cili u rrit nën paraardhësin e Trump në detyrë, demokratin Joe Biden, mbetet i lartë dhe pritet të rritet për shkak të tarifave”, thonë analistët.
Sondazhi anketoi 1,422 të rritur amerikanë në mbarë vendin dhe kishte një diferencë gabimi për të gjithë të anketuarit prej 3 pikë përqindjeje.
Klan News