Incidenti i Gentian Zenelajt ndali në vend planet e tij për shfaqjet e teatrit që ishin të prenotuara, por lajmi i mirë është se “Klani i të divorcuarave” rikthehet me 8 data të reja! Faktit që aktori tashmë është mirë me shëndet, i shtohet edhe rikthimi i tij në teatër, i cili i ka munguar shumë.

Përgjatë bisedës në “Rudina në Tv Klan, Genti shprehu keqardhjen e pamatë për anulimin e shfaqjeve dhe lumturinë që më në fund do të ngjitet në skenë. Por edhe më e gëzuar për këtë moment është kolegia e tij, regjisorja dhe mikesha e shumë viteve, Andia Xhunga që e ka surprizuar në një videomesazh.

“Surprizë! Nuk të lamë rehat as te Rudina, kemi ardhur këtu! Unë dhe Genti, shoqëria jonë daton që para 45 kilesh kështu që jemi shumë shokë të largët! Shoku, i ke marrë hudhrat me vete? Unë dhe Genti kemi  një veçanti, kemi qenë 3 herë burrë e grua në skenë dhe tani me Brixhidën është shoqja ime e ngushtë,  bashkëqiraxheshat te ‘Klani i të divorcuarave’. Sot do të flas si ish-gruaja e 3 roleve të shkuara, zotohem si ish-gruaja jote që Zigin do ta marr unë mëngjes për mëngjes dhe do ta nxjerr shëtitje, kështu që të lutem nuk ke punë me Zigin! Vetëm hudhra, hudhra, hudhra! Të duam shumë shoku!”, tha Andia./tvklan.al