Hamasi ka përshëndetur tërheqjen e dukshme të Presidentit amerikan Donald Trump nga propozimi i tij për një zhvendosje të përhershme të palestinezëve nga Gaza.

Deklarata e zyrtarit të Hamasit erdhi pasi Trump tha se “askush nuk po dëbon asnjë palestinez nga Gaza” gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin e ri të Irlandës, Micheal Martin.

“Nëse deklaratat e Presidentit amerikan Trump përfaqësojnë një tërheqje nga çdo ide e zhvendosjes së njerëzve të Rripit të Gazës, ato janë të mirëpritura. Ne bëjmë thirrje që ky pozicion të përforcohet duke detyruar Izraelin të zbatojë të gjitha kushtet e marrëveshjeve të armëpushimit”, tha zëdhënësi i Hamasit Hazem Qassem në deklaratë.

Reagim ka ardhur edhe nga Egjipti që vlerësoi tërheqjen e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të mos kërkuar që banorët e Gazës të largohen nga enklava.

“Ky qëndrim pasqyron një kuptim të nevojës për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës humanitare në Gaza dhe rëndësinë e gjetjes së zgjidhjeve të drejta dhe të qëndrueshme për çështjen palestineze”, ka bërë të ditur Ministria e Jashtme egjiptiane.

Trump tronditi të gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë muajin e kaluar kur ai propozoi marrjen e Gazës nga SHBA dhe sugjeroi që popullsia palestineze e territorit të shkatërruar nga lufta të zhvendosej përgjithmonë për të jetuar në vendet fqinje.

Ndërkaq ministrat e jashtëm arabë u takuan në Katar me të dërguarin e SHBA-së për Lindjen e Mesme Steve Witkoff për të diskutuar rindërtimin e Gazës. Ministrat e Jashtëm nga Katari, Jordania, Egjipti, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës ishin të pranishëm në takim.

Ata diskutuan planin e rindërtimit të Gazës, i cili u miratua në Samitin e Ligës Arabe të mbajtur në Kajro më 4 Mars dhe ranë dakord gjithashtu me të dërguarin e SHBA-së për të vazhduar konsultimet dhe koordinimin mbi këtë plan si bazë për përpjekjet e rindërtimit.

Nga ana tjetër, negociatat e ndërmjetësuara midis Izraelit dhe Hamasit vazhdojnë në Doha, me propozimin e SHBA-së për një zgjatje 60-ditore të armëpushimit dhe lirimin e 10 robërve të gjallë izraelitë.

Klan News