#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
#arditgjebrea #kruje #itali #shoqe #konvikt #lale #miqesi #mirenjohje #roza #natasha #46vjet # #shkolle #familje #dasem #miresi #dashuri
Dita e trishtë që solli miqësinë e përjetshme: Nga konvikti drejt rrugës së shtëpisë
Në një ditë të errët, Rozi gjeti një familje që nuk e kishte imagjinuar se do ta kishte. Siç tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty”, është lindur në Bushat të Shkodrës, më pas jetoi në Fushë-Arrëz të Pukës dhe erdhi në Tiranë për studime.
Kishte pak muaj që gjendej në kryeqytet dhe më 1 Maj të 1977-ës, shkolla qe pushim dhe mund ta kalonin fundjavën në shtëpi. Kujdestarja nuk e lejoi Rozin duke menduar se Fushë-Arrëzi qe shumë larg dhe e trishtuar, ndenji në konvikt.
Ajo pasdite nuk do të mbyllej aty, por në shtëpinë e gruas që Natasha ka ftuar sot në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.
Rozi: Vonë, duke u errur, kur shoh shoqen të cilën kam ftuar, Natasha nga Kruja, e shoh me një burrë të cilin nuk e njihja atë burrin se nuk e kisha takuar ndonjëherë. Ai zotëria më përshëndet, më thotë “gocë, çkemi, mirë?” Dhe hyn brenda te zyrat e konviktit, Natashën e lë me mua. I them, Natashë, kush është ky? Tha “babi”, ah lala se i thërrisnin lalë krutanët. Në atë kohë me Natashën nuk kam qenë shoqe e ngushtë dhe i them për çfarë keni ardhur dhe thotë “kemi ardhur për të të marrë” sepse kjo kur ka shkuar në shtëpi e kanë pyetur prindërit dhe kjo iu ka thënë që “një shoqe është vetëm në konvikt, shoqe klase”. Ky i ka thënë “hajde të shkojmë të marrim gocën”, pa hiç, pa menduar, pa asgjë.
Ardit Gjebrea: Të të merrnin në shtëpinë e tyre?
Rozi: Po, vijnë atje, i marrin leje kujdestarisë. Në atë kohë mbaje përgjegjësi për atë person që merrje në shtëpi.
Ardit Gjebrea: Sigurisht.
Rozi: Të marrësh në shtëpi një person që s’e njeh dhe nuk është prej aty afër…
Ardit Gjebrea: Dhe 16 vjeçe!
Rozi: Dhe vajzë për ta cilësuar pak më shumë, ishte një përgjegjësi shumë e madhe. I thashë Natashës si të më marrësh në shtëpi se të jesh shoqe e ngushtë edhe të merr se njihesh, por s’njiheshim, vetëm shoqe e thjeshtë. Vjen lala dhe thotë “hajdeni goca tani” dhe na merr të dyja, na hedh dorën në sup e na merr me vete dhe nisemi për Krujë. Me thënë të drejtën, unë krejt e shtangur se s’njihesha dhe kam ndenjur të premten mbrëma, të shtunën e deri të dielën pasdite. Që atë ditë, më 30 prill të ‘77-ës dhe deri sot, ne hyjmë dhe dalim me ta, kemi miqësi. Vitin e dytë të shkollës Natasha marton vëllanë dhe lala na thërret familjarisht. Më habit diçka, respekti që na dhanë sepse na caktuan dasmorë që të shkonim të merrnim nusen.
Ardit Gjebrea: Si krushq?
Rozi: Si krushq. Në veri, të respektosh kështu është diçka shumë e madhe. Harrova diçka, që, në këtë periudhë që ishim në shkollë, rruga Tiranë-Krujë u bë për mua u bë shtëpi.
Ardit Gjebrea: Shkoje shpesh?
Rozi: Shumë shpesh.
Ardit Gjebrea: Më shpesh shkoje në Krujë sesa në Fushë-Arrëz.
Rozi: Në Fushë-Arrëz shkoja vetëm kur mbyllej shkolla, njëherë në vit.
Pengu i Rozit në këtë miqësi të gjatë me Natashën është dasma e kësaj të fundit. Një vonesë bëri që ajo mos ta shihte dot shoqen e ngushtë me fustan të bardhë. Në dasmën e Rozit, Natasha erdhi duke i dhuruar të gjithë botën. Edhe në muajin e mjaltit, Rozi zgjodhi të qëndronte te “njerëzit më të mirë që ekzistojnë.
Rozi: Në atë kohë nuk funksiononin mirë, telefona e gjëra kështu s’kishim dhe telegrami nuk mbërriti. Kështu më ka ngelur pak…
Ardit Gjebrea: Nuk dinit gjë ju se kur…
Rozi: Ne s’dinim se kur do të martohej, asgjë.
Ardit Gjebrea: Por kur e morët vesh?
Rozi: Ne e kemi marrë vesh pas…më pak se një viti. Atëherë kam shkuar me vëllanë, e kam takuar Natashën me gjithë të shoqin, Fatmirin, që siç ka emrin është i shoqi.
Ardit Gjebrea: Pra ju i keni ruajtur lidhjet?
Rozi: Posi! Mbrapa, kur jam martuar unë, janë lajmëruar dhe thashë uh, erdhën këta, sikur më erdhi tërë bota! Im shoq, Ludoviku, duke qenë oficer, duke qenë në gatishmëri nuk i jepnin shumë leje asokohe se ishte gatishmëri, na sulmon ish-jugosllavi dhe i dhanë pak leje, vetëm 10 ditë.
Ardit Gjebrea: Pra nuk ishte një muaj mjalti ose të paktën dy javë, nuk ishin.
Rozi: Jo.
Ardit Gjebrea: Ku i kaluat ato 10 ditë, në cilin qytet bregdetar shkuat, në cilin plazh apo…
Rozi: Në qytetin dhe njerëzit më të mirë që ekzistojnë, te lala.
Ardit Gjebrea: Te lala! Bëre muajin e mjaltit te shtëpia e lalës?
Rozi: Te lala.
Ardit Gjebrea: Domethënë ato ishin pushimet më të bukura për ju.
Rozi: Më të bukura! Ato u prezantuan,ndenjën dhe lala thoshte “sa lezet, martova vajzën, doli prej shtëpisë së vajzërisë dhe erdhi prapë te shtëpia e vajzërisë”.
“Jemi motra gjaku, kemi prerë gishtat…”, miqësia që u forcua nga koha!
Miqësia e Rozit me Natashën është thuajse 50-vjeçare, kur të dyja ishin veçse shoqe klase. Do të ishte një mbrëmje në prag të 1 Majit kur Rozi, e mbetur në konvikt dhe e trishtuar do të gjente pikërisht këtë miqësi që i ndryshoi jetën. Ajo tregoi në “Ka Një Mesazh Për Ty” sesi Natasha, pa e pasur shoqe të ngushtë, bashkë me të atin e morën në shtëpinë e tyre në Krujë për të ndenjur me ta. Nga ajo ditë, shtëpia e Natashës u kthye në të Rozit duke gjetur gjithnjë ngrohtësinë.
Vitet nuk e zbehën dot forcën e kësaj miqësie të bukur e të gjatë. Teksa Natasha hyn në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për të mësuar se kush e ka ftuar, dyshimi i parë është motra e gjakut, Rozi.
Natasha: Kam një motër tjetër që jeton në Itali.
Ardit Gjebrea: Motër tjetër me nënë tjetër?
Natasha: Jo, është motër gjaku ajo. Jemi njohur në shkollë kur kemi qenë këtu në Tiranë dhe kemi prerë gishtat të dyja bashkë…
Ardit Gjebrea: Dhe jeni bërë motra.
Natasha: Po.
Ardit Gjebrea: Dhe më shumë të qan zemra për atë motrën që ke prerë gishtin sesa ato që…
Natasha: Për të gjitha!
Ardit Gjebrea: Për të gjitha patjetër, por pse këtu te kjo?
Natasha: Po sepse ajo nuk kishte motër vetë.
Ardit Gjebrea: Dhe të ka bërë motër ty.
Natasha: Dhe unë tha të dyja për motër. Preu gishtin ajo, e preva edhe unë.
Ardit Gjebrea: Dhe ajo jeton në Krujë apo në Itali?
Natasha: Jo, ajo është në Itali, është shkodrane. Është e krishterë, unë jam myslimane, por jemi puqur këtu e 50 vjet bashkë.
Parandjenja e Natashës nuk gaboi aspak sepse pas murit qëndron Rozi, me një mesazh të ndjerë.Rozi: Natasha… të vërtetën, në atë vend aty duhet të ishte, rahmet pastë, lala. Ardhja ime nga Italia këtu, për atë veprim që ka bërë ai në atë kohë nuk është asgjë. Për këtë arsye them që faleminderit atij, se ai na hapi rrugën, mbrapa vazhduam ne. Sot ne jemi nga dy shoqe 16-vjeçare, konviktore dhe nuk ka ardhur duke u ftohur, por duke u forcuar e shtuar miqësia. Ndihem e lumtur dhe shpresoj që fëmijët e nipërit tanë të vazhdojnë miqësinë sepse kjo sjell kënaqësi shpirtërore.
/tvklan.al