Opinion-Gramoz Pashko ishte një nga njerëzit e rëndësishëm të historisë së Shqipërisë pluraliste të pas vitit 1990. Një nga themeluesit kryesorë të Partisë Demokratike dhe ish-Zv/Kryeministër në qeverinë e stabilitetit. Pashko ka lënë gjurmën dhe vulën e tij të fortë në rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri. Gazetari Blendi Fevziu, më 26.07.2007 i ka kushtuar një puntatë në emisionin “Opinion” figurës së Gramoz Pashkos.

Humbja e tij qe tragjike dhe e shumëfishtë, pasi bashkë me të humbi jetën edhe djali i tij 24-vjeçar Rubeni, mjeku që e shoqëronte Aleksandër Baloi, inxhinieri i fluturimit Qemal Koni dhe dy pilotët Vangjel Çondi e Demush Hebaj. Tragjedia ka ndodhur më 16 Korrik 2006, në orën 22:18, kur në largësinë 80 km nga spitali ku ishte nisur, helikopteri bën komunikimin e fundit me Aeroportin e Rinasit.

Momentet që shënjuan jetën e tij dhe e bënë atë pjesë të historisë së Shqipërisë ishin transformimet e vitit 1990 dhe pjesëmarrja në Lëvizjen Demokratike, e më pas në Partinë Demokratike. Politikanë e miq të tij rrëfejnë në një intervistë për “Opinion” se si e njihnin ata Gramoz Pashkon.

“Gramoz Pashkon e kam njohur si pedagog të Fakultetit të Ekonomisë, si një nga intelektualët më të shquar të brezit të tij. Kohë përpara fillimit të Lëvizjes së Dhjetorit, njohja ka qenë e një karakteri akademik, të dy kemi qenë pedagogë në universitet. Nuk mund të them se kemi patur miqësi përpara lëvizjes, por më pas u angazhuam dhe mund të them se selia e parë e pa shpallur e Partisë Demokratike ka qenë shtëpia e Gramoz Pashkos. Unë e vlerësoj atë si një nga politikanët më të çmuar, pavarësisht nga koha e shkurtër, sepse ai e shmangu politikën dhe iu kthye jetës akademike. Ai ishte absolutisht i vetmi politikan në atë periudhë me koncepte të ekonimisë së tregut. Pashko në atë kohë ka qenë promotori i reformave të tregut dhe kjo ishte një nga meritat më të mëdha të tij”,tha ish-Kryeministri Sali Berisha.

“E kam njohur në vitet e para 70-s kur ishim të dy studentë. Që atëherë nisi një jetë e përbashkët që për fat të keq u ndërpe nga Zoti. Ishte student që binte menjëherë në sy dhe që i bënte vend vetes. Jo vetëm dallohej nga të tjerët, por një hapësirë ku ai lëvizte lirisht e zgjeronte. Ishim pjesë e një brezi, e një komuniteti brenda shoqërisë shqiptare që në atë kohë kishte nevojë për rebelë si Gramozi. Ai ishte një nga politikanët më të spikatur të tranzicionit nga komunizmi në pluralizëm, një nga njerëzit e doktrinës së demokracisë, i njohur për padurimin e tij për ndryshime të shpejta dhe të rëndësishme. Ishte vendimmarrës i guximshëm dhe nxitës i marrjes së vendimeve të mëdha. Ishte kundërshtar i përballueshëm me vështirësi. Mbetet një nga zërat më të fortë dhe me identitet të qartë prej liberali dhe një libër i hapur për t’iu rikthyer herë pas here. Gramoz Pashko gjithnjë kërkonte ndryshimin dhe nuk pajtohej me ujërat e fjetura dhe veshjet e kopsitura deri në grykë. Ishte një krijues idesh dhe përqafues i menjëherëshmën i ideve novatore që lëviznin në hapësirën e kohës. Ishte mbrojtës i paepur i vlerave të qytetërimit më konkurues të kohës”, tha ish-Kryeministri Fatos Nano.

“Çiftin Pashko e kemi njohur në mes të viteve 80-të dhe shkak për njohjen tonë është bërë Moza, bashkëshortja e Gramoz Pashkos, e cila ishte mësuesja e Gresës. Ishte në gjimnazin “Sami Frashëri” dhe bashkë me disa mësues të tjerë na erdhën në shtëpi. Vajza e vogël Besjana e afroi më shumë miqësinë, sepse kishte shumë qejf të shkonte në shtëpinë e tyre, pasi ata adaptoheshin shumë shpejt me fëmijët. Në atë kohë ata kishin një djalë të vogël, që ishte Rubeni. Bisedat në shtëpinë e tyre ishin shumë interesante dhe Ismaili shumë shpejt u hap me ta. Gramozi ishte nga ata që ndiqte shtypin dhe të dy ishin të interesuar për atë që ndodhte në Shqipëri. Kemi kaluar mbrëmje të paharrueshme. Ishin çift gjeneroz dhe shumë bujar. Pasioni i tij ishte muzika klasike dhe unë rrallë kam njohur njerëz që njihnin aq mirë muzikën klasike. Ishte melonam i përsosur, kur gjente një incizim na merrte që të shkonim ta dëgjonim. Kemi qenë në plazh kur morëm lajmin për Gramozin. Ishte një tmerr më vetë që me të vajti edhe djali i tij 24 vjeç. Por tmerri nuk mbaroi, me ta ishin edhe 4 të tjerë, të cilët lanë famijet e tyre dhe shkuan atë natë dhe nuk u kthyen më. Nuk kishte fjalë për të ngushëlluar atë grua që i humbi të dy, edhe djalin edhe bashkëshortin në 24 orë. Ismaili nuk e besonte lajmin deri në fund. Këto janë drama të mëdha”,tha Elena Kadare.

“Profesioni që i përshtatej më shumë Gramozit ka qenë ai i profesorit. Ka qenë nga lektorët më të mirë të Fakultetit të Ekonomisë, këtë përshtypje japin edhe ish-studentët e tij. Ai kishte aftësi për të thjeshtësuar. Ai ka qenë shumë ambicioz dhe një nga ekonomistët më të kulturuar dhe kjo i jepte mundësinë të ishte një rast i papërsëritshëm. Ishte shumë i thjeshtë me studentët dhe krijonte raporte me ta, ishte shumë më pak formal se sa gjithë të tjerët. Politika në përgjithësi nuk është profesioni i karaktereve shpërthyes, standardi i politikanit është të jetë tepër i duruar dhe të dijë të mbajë mirë, jo çdo gjë thuhet siç mendohet dhe në këto gjëra Gramozi nuk përputhej aspak me politikën. Padyshim roli i tij si politikan ishte në momentin e ndryshimit, ai nuk puqej me tradicionalen. Në atë kohë ai dha më të mirën, ishte politikan i atyre momenteve. Kur politika filloi të bëhej në një shtrat më të qetë me skenat dhe prapaskenat e saj, Gramozi nuk mundi t’i mbijetonte dhe krejt natyrshëm erdhi edhe divorci i tij me politikën”,tha politikani Genc Ruli.

Mëngjesin e 10 Dhjetorit të 1990, Gramoz Pashko do ta ndërpriste përkohësisht karrierën akademike për t’iu përkushtuar politikës dhe një transformimi të vendit, nga një sistem tiranik në një sistem demokratik. Prej një dekade ai do të vijonte karrierën e tij politike për t’u rikthyer më pas sërish në jetën akademike. Gramoz Pashko u bë i pari në Shqipëri që tentoi të provojë terapinë e shokut, një teori ekonomike e cila mbeti gjatë në mendjen e shqiptarëve dhe shumë shpejt dha rezultate në ekonominë e shkatërruar të vendit tonë.

Por karriera e tij ka edhe një moment padyshim dramatik, një moment kur ai do të detyrohej të mbante një pozicionim shumë të fortë. Ishte konferenca e jashtëzakonshme e Partisë Demokratike e 13 Gushtit të 1992, kur Gramoz Pashko sëbashku me një grup tjetër mbështetësish përjashtohet nga partia. Ishte momenti kur ai do të divorcohej nga partia me të cilën do të bashkohej sërish në vitin 2005. Karriera e tij do të kishte ulje-ngritjet e saj, por nuk do të arrinte më kurrë kulmet që pati në vitet 1991-1992. Më pas, ai u angazhua me Aleancën Demokratike, qe një prej deputetëve të saj. Rikonkuroi në vitin 2005 në një nga zonat më të vështira të Shqipërisë, në Kolonjë, për ngjyrat e PD, por nuk arriti të bëhej deputet. Një vit më pas ai do të humbte tragjikisht jetën sëbashku me njerëzit që e shoqëronin. / tvklan.al