Një baba i cili ëndërronte ditën që do ta shoqëronte vajzën e tij drejt altarit, nuk e realizoi kurrë ëndrrën e tij. Në vend të kësaj, atij iu desh të mbante arkivolin e saj, pasi e reja humbi tragjikisht jetën në një aksident me makinë.
Jillian Thornton nga Irlanda, ishte pasagjere në një makinë që po ndiqej nga policia. 20-vjeçarja telefonoi e dëshpëruar emergjencën, ndërkohë që shoferi Michael Collins, nën efektin e drogës bënte gara me makinat e tjera në tentativë për t’i ikur policisë.
Ajo ishte ende në telefon kur makina që udhëtonte u përplas me një tjetër automjet në Duleek, në Maj të 2016-s. 3 vjet nga kjo tragjedi, në një rrëfim për të përditshmen Mirror, familja e saj flet për dhimbjen e humbjes së njeriut të tyre të dashur.
“Babai jonë nuk do të mund ta çonte kurrë më drejt altarit Jillian në dasmën e saj, ndaj ne i morëm një arkivol të bardhë dhe ai e çoi drejt varrit“, rrëfeu motra e saj Elaine.
Aksidenti fatal erdhi pas 25 minutash ndjekje, që nisi kur Collins nuk i ndaloi policisë pasi u pikas në një rrethrrotullim duke i dhënë makinës në anën e gabuar.
20-vjeçarja postoi gjithashtu një video të rëndë në rrjetin social Snapchat, ku qante për ndihmë në telefon, ndërsa nga pas ndiqej nga policia. Collins dhe pasagjeri që ndodhej në sediljen e përparme të makinës i shpëtuan aksidentit.
Në Mars, 44-vjeçari u shpall fajtor për 16 akuza dhe pak ditë më parë ai u dënua me 15 vjet burg.
Duke komentuar dënimin, motra e saj 29-vjeçare tha: “Dënimi që ai mori nuk do të jetë kurrë i mjaftueshëm, sepse ne ngelëm përgjithmonë pa Jillian tonë”. Elaine tha se familja e saj nuk do ta marrë kurrë veten nga humbja e 20-vjeçares. /tvklan.al