Tingujt andaluziane pushtuan sallën e koncertit “Tonin Harapi” në Liceun Artistik.
Një skenë minimaliste dukej sikur ishte e duhura për artistin spanjoll Eduardo Inestal, i cili e plotësoi shfaqjen me interetimin e tij plot emocion.
Rikthehet në Shqipëri për Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës për të dytën herë.
Eduardo Inestal: Për mua është kënaqësi e madhe që të kthehem në Shqipëri, ndihem si në shtëpi. Po aq kënaqësi është të jem përsëri pjesë e këtij festivali dhe të luaj para një publiku kaq të ngrohtë, siç është edhe koha.
E quan të rëndësishëm këtë festival, ndaj ka shtyrë angazhimet e tij në Gjermani aty ku jeton, për t’u bërë pjesë e kalendarit artistik.
Eduardo Inestal: Ky festival ka vlerat e tij, së pari sepse promovon muzikën nga të gjithë vendet, në këtë rast atë të Spanjës. Në të njëjtën kohë promovon edhe muzikën e kitarës dhe është një pikëtakim për ne artistët që vijmë nga vende të ndryshme të Europës.
“Preludo de Adios”, “Le catedarl” dhe të tjera kompozime klasike u luajtën mbrëmë në koncertin 60 minutësh.
“Repertori që kam përzgjedhur më pëlqen për disa arsye, personalisht më pëlqen se si tingëllon, dhe së dyti shpalos shumëllojshmërinë e mzikës së kitarës së Spanjës dhe Amerikës Latine.”
Festivali Ndërkombëtar i Kitarës, i cili udhëtoi në monumente kulture në Berat e Rubik do të vazhdojë me shfaqje të tjera deri në fund të Qershorit me një ndalesë në Shkodër për t’u rikthyer sërish me shfaqje në Tiranë.
Tv Klan