Fillimi i vitit 2024 nuk ka qenë aq i mbarë për gjigantin e teknologjisë “Apple” pasi shitjet i kanë rënë pothuajse në çdo treg anembanë globit. Kompania deklaroi se kërkesat për celularë kanë rënë me më shumë se 10% në 3 muajt e parë të këtij viti, ndërsa shitjet e përgjithshme kanë rënë në çdo rajon gjeografik, përveç Evropës.

“Apple” tha se në përgjithësi, të ardhurat në të gjithë kompaninë ranë me 4%, që ishte rënia më e madhe për më shumë se një vit. Kompania u zotua se shitjet do të rriten në muajt në vijim, duke vënë në dukje lançimet e ardhshme të produkteve dhe investimet në inteligjencën artificiale.

Shitjet e përgjithshme të “Apple” në tregun e Kinës ranë me 8%. Konkurrenca në atë treg është intensifikuar nga rivalët vendas si “Huawei”. “Apple” po përballet gjithashtu me beteja ligjore me rregullatorët në SHBA dhe Evropë për tarifat e saj të aplikacioneve. Një padi ndaj monopolit në SHBA kundër Google kërcënon pagesat fitimprurëse që Apple merr nga gjigandi i kërkimit./tvklan.al