Kur bëhet fjalë për vetminë, shumë pak prej nesh duan që ta pranojnë faktin se në një të ardhme mund të jetojë vetëm. Është trishtuese të mendosh që në këtë botë të rrethuar nga kaq shumë njerëz, miq e familjarë, në një pjesë të jetës të mbetesh fillikat, pa pasur askënd afër. Të mos kesh një person me të cilin të ndash përjetimet, emocionet e dëshirat e tua, një person që të jetë aty për ty, të kujdeset. Askush nuk do që ta pranojë këtë, por ky është realiteti.

Duke folur pikërisht për vetminë, të ftuarit dhanë mendime të ndryshme, bazuar edhe tek përvojat personale. Marrë shkas nga kjo, në një mënyrë apo tjetër duke pranuar faktin që një ditë të gjithë mund të ngelemi vetëm, moderatorja e programit “Shije Shtëpie” Katerina Trungu tha se më shumë se sa të qenurit vetëm, në vetvete e tremb më tepër fundi i gjithë kësaj vetmie.

“Mua më duket e padrejtë që ta mendoj kështu, kur unë jam në një botë me njerëzit e mi dhe jam me fëmijët e mi, jam me nipërit e mbesat. Sepse unë mendoj fundin. Pra fundi, nuk dua që të jem vetëm dhe të vijnë pas 1 muaji e të më gjejnë. Më falni se mora një shembull shumë të errët, por kjo është një gjë që ka ndodhur, e kam parë dhe e kam dëgjuar”, tha moderatorja./tvklan.al