Mëngjesin e kësaj të hëne të ftuarit në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan folën sa i takon vetmisë dhe ndikimin që ka ajo në psikologjinë dhe jetën tonë. Aktorja Julia Ilirjani rreth kësaj teme pati një mendim paksa ndryshe nga ajo se çka jemi mësuar të dëgjojmë.
Ajo tha se shoqëria jonë nuk e pranon martesën e një burri apo një gruaje pas të 60-ve, nëse i ndërron jetë partneri apo partnerja. Pas një fatkeqësie, kur njëri prej partnerëve ndërron jetë, tjetri mbyll jetën aty. Sipas saj kjo “tabu” duhet të ndryshojë.
Jeta vazhdon edhe pas një trishtimi, edhe pas të 60-ve. Aktorja tha se moshat e tretë duhet të fillojë të kërkojnë njëri-tjetrin, të gjejnë partnerin për të mos qenë vetëm. Julia Ilirjani shtoi se kjo gjë duhet të fillojë të ndryshojë që prej gjeneratës së saj.
“Mosha e tretë nuk duhet të rrijë vetëm. Mosha e tretë duhet të fillojë të kërkojnë njëri-tjetrin më mendimin tim. Se ka dhe një koncept të gabuar në Shqipëri, po të vdiq burri 60 vjeç, ti tani je plakë nuk do rrish me njeri. Jo mo jo, fëmijët ikin në punët e tyre, në hallet e tyre. Të duhet një shok, një partner që të pish një kafe, të dalësh me të, që kur të rrëzohesh në shtëpi të të gjejë ai dhe të lajmërojë ambulancën. Po kjo është jeta.
Mosha e tretë, por dhe fëmijët sepse ata ndikojnë tek kjo moshë më së shumti, thonë ‘se është turp do të na turpërosh’, ‘mami/babi vdiq’. Por jo, fëmijët duhet të bëjnë jetën e tyre dhe prindërit të vazhdojnë jetën e tyre. Nuk bëhen barrë as për fëmijët. Them që brezi jonë të paktën 40-60 të fillojmë të mbledhim mendjen e kokës, apo 30-50, dhe të fillojmë të sistemojmë pak jetën tonë që të mos u bëhemi barrë fëmijëve tanë të cilët nuk do të na shohin. Kjo është pak, por e sigurt”, tha Julia Ilirjani./tvklan.al