Çdo të hënë emisioni “Aldo Morning Show” në Tv Klan ka një rubrikë të posaçme që u dedikohet të gjithë nuseve apo dhëndurëve të huaj, që dashuria i ka sjellë në vendin tonë.
Këtë të hënë e ftuar në studion lëvizëse ishte rusja Elizabeta Biba. Ndryshe nga sa kemi dëgjuar herët e tjera, në Shqipëri atë nuk e solli dashuria, por shoqja e ngushtë. E ftuar në dasmën e saj, Elizabeta Biba përveç traditave dhe zakoneve tona shqiptare, u mahnit dhe nga një palë sy të panjohur, por që depërtuan thellë në sytë e saj. Ishte pikërisht shikimi i atij djalit nga Korça që i rrëmbeu zemrën Elizabetës. Sot ata dashurinë e tyre e kanë kurorëzuar në një martesë dhe tashmë janë prindër të dy vajzave.
Duke u kthyer pas në kohë, në dasmën e shoqes, Elizabeta tregon gjënë që e ka çuditur, por dhe që e ka mahnitur njëkohësisht. Ishte pikërisht pasioni dhe dëshira për të kërcyer, që nga fëmijët që sa kanë filluar të hedhin hapat e parë e deri tek të moshuarit mbi 80-vjeç, që të rreshtuar e të kapur dorë për dore “sfidojnë” moshën e plakjen.
“Në Rrajcë më ka mahnitur kërcimi. Jo vetëm vallja e Rrajcës, por më ka mahnitur fakti që ishte një festë dhe del kreu i familjes me mikrofon dhe thotë ‘tani do të kërcejnë ata që janë të moshuarit’. Vijnë të moshuarit dhe duket që janë 80+, por kur fillon muzika… Po them që kanë shijuar aq shumë sa unë jam mahnitur. Pastaj e kishin radhën fëmijët dhe vijnë fëmijët që nga mosha 2 vjeç e sipër dhe aty kam parë pasionin për kërcimin. Pashë pasionin për të kërcyer që nga të vegjlit, që sa ka filluar të ecë e deri tek të moshuarit mbi 80 vjeç. Kërcenin me shumë pasion, shumë dashuri e ritëm. Kjo më ka mahnitur. Unë jam nga Moska dhe e kam të vështirë që të flas për të gjithë Rusinë, por ne në dasma nuk kërcejmë valle popullore. Nuk është në modë. Nuk jemi tradita e brezave të mëparshëm”, tregoi Elizabeta Biba./tvklan.al