E ftuar në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, aktorja e njohur Julia Ilirjani tregoi një anë tjetër të vetes. Duke folur për vetminë dhe se si kjo e fundit ndikon në jetën tonë, aktorja tha se dëshira për të qëndruar ose jo vetëm vjen me kohën. Këtë ajo e bazoi dhe tek vetja dhe ndryshimet për gjatë viteve.
Julia Ilirjani tregoi se tashmë i pëlqen më tepër që të qëndrojë vetëm, ose të përfshihet në grupe të vegjël me pak veta. Mesa u kuptua dëshira për vetminë lidhet më tepër me personalitetin e aktores. Ajo tregon se që fëmijë ka dashur më shumë që të qëndrojë vetëm.
“Në përgjithësi unë e çmoj shumë kohë e të qenurit me veten. Sepse ka shumë njerëz që nuk dinë të rrinë me veten, prandaj nuk e duan vetminë. Kurse unë jam shumë mirë me veten time, prandaj që e vogël e kam pasur këtë tendencë që të mos marr pjesë në lojëra masive, shkëputesha, zija një cep dhe fantazoja. Kjo pjesa e vetmisë më pëlqente shumë. Ndjehem mirë kur jam vetëm, ndjehem mirë dhe kur jam në grupe. Përgjithësisht tani kam filluar që edhe grupet t’i kem të reduktuara të mos jem në grupe shumë masive. Maksimumi 4 veta, sepse më shumë më bezdisin. Shpërqendrohem dhe nuk e kam më atë nervin që të përqendrohem tek të gjitha bisedat, dua të përqendrohem tek tavolina ime apo tek bisedat e mia.”
Julia Ilirjani jeton me vajzën e saj Rene Refo. Në studio ajo shprehet se ka menduar që të bëjë disa ndryshime në jetën e saj. Njëra prej atyre është që të jetojë vetëm e të shkëputet nga vajza. “Aludimeve” se nëse jo me vajzën, me kë do të jetojë, aktorja tha se do të jetojë përsëri me dikë kur të jetë e nevojshme.
“Mendoj që ka ardhur koha që të jetoj pak vetëm. Do të shkëputem dhe nga vajza, nuk e di se kur do të ndodhë kjo, por besoj se do të ndodhë në këto 2-3 vjet. Po mendoj që edhe asaj do i bëjë mirë, por dhe mua do të më bëjë mirë. Dhe pastaj për të jetuar përsëri me dikë, kur të jetë e nevojshme.”/tvklan.al