Një kirurge syri nga Rusia humbi jetën në një aksident sa të pazakontë aq edhe të frikshëm. Ajo u godit nga një “plumb prej akulli” që u ngrit nga një kamion që udhëtonte para saj. Copa e akullit depërtoi duke thyer xhamin e makinës ku ndodhej 27-vjeçarja dhe e goditi të renë në sy.
Sipas The Sun, 27-vjeçarja Evgenia Elistratov gjeti vdekjen e menjëhershme, për shkak të dëmtimit të rëndë në kokë. Bashkë me të në makinë ndodhej edhe bashkëshorti Sergey Elistratov, i cili ndaloi automjetin, por e pati të pamundur të shpëtonte bashkëshorten e tij.
Aksidenti ndodhi pranë Labytnangi, në veri të rrethit Arktik, në perëndim të Siberisë.
Kamioni i madh ishte para makinës së saj, në një rrugë të largët dhe shoferi i tij nuk dinte asgjë për “plumbin prej akulli” që kishte ngritur me gomat e mjetit të tij. Sipas policisë, copa e akullit kishte qenë e përzier me zhavorr.
Çifti kishte vetëm 6 muaj që ishte martuar dhe planifikonin të kishin fëmijë. 27-vjeçarja sapo kishte nisur një punë të re në qytetin polar.
/tvklan.al