Gjakmarrja në qytetin e Tiranës ishte një fenomen i rrallë, aq sa rastet numëroheshin me gishta. Por kjo dukuri është e arkivuar mes shumë dokumentesh që gjenden në Stamboll e që flasin për historinë e dy fiseve të njohura të Kryeqytetit, Toptani e Jella.
Bazuar në këto dokumente osmane, gazetarja Rezarta Delisula sjell në librin e saj të ri “Hasmëritë që tronditën Tiranën e 1800-tës” një pjesë të asaj që ndodhte në atë periudhë.
Autorja thotë se vendosi t’i botojë për të treguar që gjakmarrja në Tiranë nuk ka qenë tipike, por sporadike.
“Vendosa t’i botoj këto dokumente, pasi regjimi diktatorial nuk iu la mundësi familjeve të mëdha, sikurse edhe Jellëve, për të njohur të shkuarën e tyre, dhe këto dokumente zbardhin dhe një pjesë të zinxhirit të këtij fisi. Vendosa t’i botoj këto dokumente, pasi në to zbulohet arsyetimi juridik dhe parime të së drejtës, në ato shekuj kur vendi ishte nën pushtetin osman.”
Ky libër është edhe një ftesë për të gjithë qytetarët e vjetër të Tiranës që të nxjerrin nga arkivat dokumente të rralla apo dorëshkrime që zbulojnë më shumë nga historia e qytetit.
Klan News