Pak javë më parë u publikua një lajm se disa rrjete sociale denigronin vajzat minorene në qytetin e Fierit, duke shpërndarë foto e materiale private të tyre. Më pas, u shkrua se pas kësaj veprimtarie qëndronte një 17-vjeçar.
Vetë 17-vjeçari thotë në emisionin “Stop” në Tv Klan se po e përjeton keq gjithë këtë situatë. Ai deklaron se nuk ka gisht fare në këtë histori dhe është detyruar të lërë shkollën pasi e kërcënojnë me jetë.
Edhe e ëma e tij tregon se familja ndjehet e kërcënuar, pasi edhe poshtë shtëpisë u kanë vajtur shumë persona. Babai i djalit shkon në polici ku i thonë se kanë dijeni që 17-vjeçari nuk ka të bëjë me publikimin e fotove online.
Babai: Ju e dini shumë mirë që K.K. nuk ka gisht te kjo pjesë.
Policia: E dimë shumë mirë që nuk ka gisht.
Babai: Populli e di se është K.K.
Sipas avokatit Andi Doko, policia duhet të mbrojë të riun dhe ta shoqërojë në shkollë dhe në shtëpi.
Andi Doko, avokat: Policia duhet të marrë në mbrojtje të riun dhe ta shoqërojë në shkollë dhe në shtëpi!
Psikologu Skënder Ravolli shprehet se prindërit dhe shkolla duhet të punojnë për të tilla raste që janë në rritje.
Skënder Ravolli, psikolog: Prindërit, shkolla dhe psikologët në shkolla duhet të punojnë për të tilla raste që janë në rritje.
Gazetari i “Stop” në bashkëpunim me policinë ndihmojnë 17-vjeçarin duke garantuar mbrojtje të jetës pasi të gjithë e akuzojnë atë se ka përdorur një llogari në rrjete sociale për të denigruar minorenë në Fier./tvklan.al