Raportimi në TikTok nuk është funksional për të gjitha rastet. Edhe pse AMA u kërkua që të ishte monitoruese e platformave dixhitale, Tomi Kallanxhi thotë në emisionin “Opinion” në Tv Klan se autoriteti i saj është i kufizuar.
Ai tregon se e ka përdorur formularin e raportimit të parashtruar prej institucionit për të raportuar një rast kur emri i tij është përdorur nga një llogari false për të ofenduar dikë, por kompetencat e AMA-s konsistojnë vetëm për dy kauza: të drejtat e autorit dhe bullizmin.
“Dikush kishte hapur një ‘account’ me emrin tim dhe komentonte, kishte sharë një shokun tim që kishte aplikuar te ‘Deputeti që duam’. Më shkruan ai, ‘ore po më shan në TikTok?’ Jo, i thashë, duhet ta kenë hapur njerëzit. E raportoj linkun te AMA, madje mund ta hap edhe email-in dhe të të lexoj përgjigjen që ka dhënë AMA që nuk hyn te të drejtat e të autorit e të tjera me radhë që ne të mund të raportojmë link-un te TikTok-u. Domethënë, mban përgjegjësi vetëm për content që shkel të drejtat e autorit dhe bullizëm. Gjithë gjërat e tjera, ‘fake accounts’, sulme e të tjera me radhë, nuk i mbajnë përsipër. Ndoshta kjo gjë duhet të eskalojë pak më shumë në marrëdhëniet me TikTok-un”, tha Kallanxhi./tvklan.al