Krijon antitrupa për një periudhe 6-12 muaj
Shkencëtarët britanikë janë duke testuar një ilaç të ri që mund të parandalojë infektimin nga koronavirusi. Bëhet fjalë për një terapi me antitrupa që siguron një imunitet të menjëhershëm dhe që mund të jepet si një trajtim urgjent për pacientët e shtruar në spital ose ata që janë në rrezik. Ilaçi u zhvillua nga Spitali i Kolegjit Universitar të Londrës dhe kompania AstraZeneca.
Sipas tyre, ilaçi të mbron nga virusi për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj. Nëse ky ilaç merr miratimin e autoriteteve shëndetësore pritet të futet brenda 8 ditësh në përdorim. Studimi është zhvilluar në disa spitale britanike dhe me marrjen e dritës jeshile, ai mund të jetë i disponueshëm në periudhën Mars-Prill.
Sipas britanikes “The Guardian” që ka publikuar rezultatet e studimit mbrojtja e menjëhershme që premton ky ilaç mund të luajë një rol të rëndësishëm në uljen e përhapjes së virusit derisa të vaksinohen të gjithë. Studiuesit thonë se përparësia është se ai siguron antitrupa të menjëhershëm ndryshe nga vaksina që të jep imunitet pas 1 muaji.
Kjo mund të jetë një tjetër zhvillim i rëndësishëm në luftën ndaj pandemisë. Ekspertët thanë se edhe personat që trajtohen me këtë ilaç mund të marrin vaksinën më vonë.
Tv Klan