Incidentet në derbin e kryeqytetit i zhvilluar të dielën në “Arenën e Demave” kanë sjellë edhe masa nga policia. 3 tifozë janë arrestuar, 5 të tjerë po procedohen në gjendje të lirë për kundërshtim të punonjësve të policisë apo aktet e dhunës.
Forcat e rendit proceduan në gjendje të lirë edhe sekretarin e përgjithshëm të KF Partizanit dhe delegatin e ndeshjes për mosbindje ndaj forcave të policisë dhe shpërdorim detyre. Në njoftim shkruhet se stadiumi ishte i papërshtatshëm për zhvillimin e një ndeshje të tillë dhe për këtë është njoftuar klubi pritës.
Policia e Tiranës edhe pse nuk mori një përgjigje zyrtare nga organizatorët mori masat për të siguruar mbarëvajtjen në këtë takim, duke angazhuar 276 efektivë, të mbështetur nga 8 grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë. Në njoftim thuhet forcat e rendit siguruan perimetrin e stadiumit 1 orë e 30 minuta para nisjes së takimit.
Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit në një reagim të hënën tha se Policia e Shtetit ka mbërritur me vonesë në stadiumin e Partizanit, duke lënë hapësirë për përplasjen e tifozerive. Sipas FSHF-së, Policia nuk mori përsipër fillimisht për të shoqëruar ekipin e Tiranës drejt stadiumit, gjë që solli edhe shtyrjen e ndeshjes me 30 minuta.
Sipas FSHF-së, Arena e Demave është e përshtatshme për të pritur ndeshje të këtij niveli. Me tej theksohet se Federata është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha institucionet për mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe garave sportive. Por nëse kjo lloj qasjeje do të vazhdojë edhe në të ardhmen, Federata është e detyruar të rishikojë qëndrimin e saj dhe të marrë masa ekstreme deri në pezullimin e garave kombëtare të futbollit për një afat të pacaktuar.
Tv Klan