Ish-lideri katalanas, Carles Puigdemont ka dalë nga burgu i Gjermanisë, pasi ka paguar 75,000 euro për lirimin e tij me kusht, deri sa të merret vendimi për ekstradimin e tij në Spanjë.
Puigdemont, është larguar nga burgu, Neumuenster, në veri të Gjermanisë më 6 prill, pas gati dy javësh prej kur është ndaluar derisa ishte duke kaluar kufirin nga Danimarka. Duke folur para gazetarëve jashtë burgut, ai ka falenderuar mbështetësit “në gjithë botën”.
Spanja akuzon Puigdemontin për rebelim dhe shpërdorim të fondeve publike lidhur me referendumin e paautorizuar për pavarësinë e Katalonjës në tetor të vitit 2016. Më 5 prill, gjykata në shtetin verior, Schleswig-Holstein ka kundërshtuar kërkesën për ekstradim për rebelim, mirëpo ka thënë se ekstradimi në Spanjë është i mundshëm lidhur me akuzën për keqpërdorim të fondeve publike.
Zëdhënësja e qeverisë spanjolle ka thënë më herët se Spanja respekton vendimin e gjykatës gjermane. Puigdemont është larguar nga Spanja pesë muaj më parë drejt Belgjikës, pasi kryeministri spanjoll, ka shkarkuar administratën rajonale. Puigdemont është ndaluar muajin e kaluar në Gjermani, pas një fletarrestimi të lëshuar nga Spanja.
Përmes një postimi në Twitter, Puigdemont ka thënë se “ne duhet të shikojmë drejt të ardhmes me shpresë dhe optimizëm sepse ne kemi një të drejtë, të drejtën për të mos lënë atë që të vjedhin të ardhmen tonë”. /REL