Gjermanët po votojnë këtë të dielë në zgjedhjet parlamentare që pritet të rikthejnë në pushtet kristiandemokratët pas 4 vitesh në opozitë.
Sondazhet parashikojnë që lideri i tyre Fridrih Merz të formojë qeverinë e re, duke bashkëpunuar me socialdemokratët e Olaf Scholzit, pasi pritet të mos arrijë numrin e nevojshëm të deputetëve për ta formuar vetëm me partinë e tij.
Nacionalistët euroskeptikë të Alternativës për Gjermaninë parashikohet që për të parën herë në 12 vite të ekzistencës së tyre politike të renditen në vendin e dytë, duke lënë pas socialdemokratët që historikisht kanë qenë një prej forcave kryesore në vend. Ndonëse kristiandemokratët kanë përjashtuar mundësinë e një koalicioni qeverisës me ta, AfD pritet të ketë pozita shumë të forta si një parti opozitare, e mbështetur edhe nga miliarderi amerikan Elon Musk që është pjesë e administratës së Donald Trampit në Uashington.
Mbështetja e ulët për socialdemokratët, në të njejtat nivele me të gjelbërit ish-aleatë lidhet me pakënaqësitë e votuesve për qasjen e qeverisë ndaj krizës financiare të lidhur me pasojat e luftës në Ukrainë që e ka zhytur vendin në recesion prej 2 vitesh. Berlini është nën presion nga administrata Tramp për rritjen e shpenzimeve ushtarake si pjesë e NATO-s.
Tv Klan