Guiseppe Conte mundi të marrë votëbesimin edhe të Senatit të martën dhe do të vijojë të jetë kryeministër i Italisë. Qeveria e ttij mori 156 vota pro, 140 kundër dhe 16 abstenime. Ishte mungesa e disa senatorëve në sallë që uli numrin e votave të nevojshme për t’i shpëtuar votëbesimit, që kërkonte një mazhorancë prej 161 votash në rast se salla do të ishte e plotë.

Por çfarë do të thotë kjo për Italinë?

Fillimisht shpëtimi nga mocioni i mosbesimit është marrje fryme lehtazi për kryeministrin Conte. Por 156 vota pro nuk janë shumë për t’u qetësuar. Kjo pasi nuk është arritur mazhoranca minimale prej 161 votash. Megjithatë, Conte është i kënaqur.

“Tani duhet të shkojmë përpara për të kapërcyer sfidën e urgjencës shëndetësore dhe krizën ekonomike”, ka thënë ai. Mjafton ky besim i vogël, por domethënës për Conte-n, që të nisë krijimin e një mazhorance të re. Për dy javët e ardhshme, kryeministrit italian i duhet të punojë fort për të gjetur të paktën 6 senatorë të tjerë që të mbajë “gjallë” qeverinë e tij.

“Shifrat do të rriten së shpejti”, mësohet të jetë shprehur me vetëbesim Conte.

“Po, por si?”, shton pyetjen Corriere della Sera. Janë një sërë llogaritjesh që Conte mendohet se do t’i bëjë duke joshur disa senatorë. Sipas të përditshmes italiane, kryeministri do të shfrytëzojë në maksimum “paketën” për ligjin zgjedhor. Disa parti mund t’i dalin kundër, disa jo, por për Conte-n rëndësi ka sigurimi i mazhorancës së plotë, pasi siç shkruan Corriere “Nëse nuk ka numrat, kjo qeveri shkon në shtëpi”.

Kjo pasi nëse nuk do të kishte 161 vota, puna do të ishte praktikisht e pavlefshme. Megjithatë nga ekipi i Conte-s sigurojnë se kryeministri nuk po luan fshehtazi. “Ai nuk premton vende, luan pastër”, citojnë disa anëtarë të ekipit të tjerë.

Por mediat shkruajnë se Conte ka në dorë një “pjatë”, ku mund të joshë disa politikanë. I tillë është edhe Riccardo Nencini, sekretari i Partisë Socialiste italiane, për të cilin flitet se mund të jetë ministër. Po ashtu ka shumë emra të tjerë që nuk i janë shprehur ende Conte-s. Siç shkruajnë mediat, ditët në vijim do të jenë vendimtare.

Qeveria italiane hyri në krizë pas tërheqjes së ministrave të partisë së Renzit. Italia Viva doli nga koalicioni në qeveri pas mosmarrëveshjeve për planin për rimëkëmbjen ekonomike pas krizës së Covid-19./tvklan.al