Sfilata e koleksionit të ri të veshjeve për periudhën Pranverë – Verë 2025 për vajza dhe gra i shtëpisë së famshme franceze të modës Christian Dior startoi javën e modës në Paris.

Modelet prezantuan triko të gjata që marrin formën e fustaneve, kostume asimetrike dhe pantallona të zeza me vija të bardha.

Koleksioni i stilistes Maria Grazia Chiuri përfshin edhe këpucë të gjata të modelit gladiator dhe atlete, që lidhen deri në pjesën e sipërme.

Gjatë sfilatës, ra në sy prania e Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron mes spektatorëve të zgjedhur.

Një tjetër sfilatë e ditës së parë të Javës së Modës së Parisit ishte ajo e stilistit zviceran Kevin Germanier. 

Koleksioni i tij për vajza dhe gra Pranverë – Verë 2025 është i pakursyer në shkëlqime shumëngjyrëshe, diamantë dhe xhufka. 

Të shumtë ishin personat e famshëm që u mblodhën në shfaqjen e modës Schiaparelli në Paris, teksa Haute Couture po vazhdon në kryeqytetin francez.

Në mesin e yjeve të pranishëm ishin aktorja Kelly Rutherford, muzikantja Pixie Lott apo ish-modelja dhe gruaja e ish-Presidentit francez Nicolas Sarkozy, Carla Bruni.

Marka tjetër e luksit Chanel prezantoi koleksionin e saj, Pranverë – Verë 2025 në një pasarelë të ideuar me formën e logos së famshme C në Grand Palais në qendër të Parisit.

Modelet u shfaqën me një linjë fustanesh me ngjyra pastel dhe xhaketa të qëndisura, përgjatë tapetit të bardhë të pistës së pjerrët, shumë prej të cilave theksonin supet.

Kishte xhaketa të zbukuruara me mëngë të rrumbullakëta, të gjera, fustane të tejdukshme me grumbuj puplash dhe funde të shkurtra.

Në mesin e shfaqjes, publiku duartrokiti stilistin teksa u ngrit në këmbë për ti përshëndetur të gjithë.  

Chanel ka qenë pa një drejtues krijues që nga largimi i papritur i Virginie Viard në gjysmë të vitit të kaluar.

Shtëpia private e modës tha në Dhjetor se Matthieu Blazy do ta pasonte atë në rol.

Zgjedhja e Blazy, ndihmoi në rritjen e suksesit të fundit dhe sinjalizoi një qasje të re për Chanel, i famshëm për xhaketat tëeed dhe parfumin nr.5.

Shfaqjet e modës në Paris, paraqesin disa nga markat më të njohura të industrisë, duke përfshirë Dior, Valentino dhe Jean Paul Gaultier në pronësi të LVMH.

Saint Laurent ishte marka tjetër e luksit që zbuloi koleksionin e tij të veshjeve për meshkuj Vjeshtë-Dimër 2025 në Paris, me kostume oversize në tone neutrale dhe çizme lëkure të guximshme.

Modelët mbanin edhe syze dielli, vizioni sportiv i stilistit Anthony Vaccarello me një nuancë të frymëzuar nga kostumet e viteve ‘70 dhe ‘80 të kombinuara me pëlhura të ndryshme dhe xhaketa lëkure.

Sfilata u zhvillua në Bourse de Commerce të kryeqytetit francez.

Luvri, muzeu më i vizituar në botë, hapi një ekspozitë të gjerë të fustaneve të modës dhe aksesorëve nga dhjetëra shtëpi të modës duke përfshirë Chanel, Saint Laurent dhe Dior duke i shfaqur ato së bashku me koleksionin e tij të arteve dekorative historike nga Greqia e lashtë në Perandorinë e Dytë të Francës.

“Kjo ekspozitë e modës është hera e parë që Luvri sjell modën brenda muzeut në këtë mënyrë”, tha për Reuters Olivier Gabet, drejtor i Departamentit të Arteve në Muze.

“Parisi është kryeqyteti i modës, ka një marrëdhënie shumë të fortë midis shtëpive të modës dhe Parisit. Luvri është në zemër të Parisit, stilistë të modës të gjeneratave të ndryshme, duke përfshirë Yves Saint Laurent, Hubert de Givenchy dhe Karl Lagerfeld e kane lidhur veprimtarine e tyre edhe me muzeun”, tha ai.

Një fustan prej mëndafshi i realizuar nga John Galliano për Dior në 2006 ndodhet në qendër të një dhome kushtuar Louis XIV, me mobilje të zbukuruara dhe portrete të larta të Mbretit Diell.

Në një dhomë tjetër, këpucët Armadillo të Alexander McQueen të vitit 2011 shfaqen në një kuti pranë një pjate të shekullit të XVII-të.

Java e Modës në Paris zgjat deri më 1 Tetor, përgjatë së cilës pritet të prezantohen të tjera koleksione të markave të famshme të modës. 

Klan News