Presidenti i SHBA, Donald Trump do të përjashtojë prodhuesit e automjeteve nga tarifat prej 25% ndaj Kanadasë dhe Meksikës për një muaj, për sa kohë që ato janë në përputhje me rregullat ekzistuese të tregtisë së lirë.

Vendosja e tarifave prej 25% nga Trump për të gjitha mallrat e importuara nga Kanadaja dhe Meksika, si dhe një tarifë shtesë prej 10% për importet kineze, pritej të godiste rëndë industrinë e automjeteve.

Ne folëm me tre tregtarët e mëdhenj të automjeteve. Do të japim një përjashtim për një muaj për çdo automjet “, tha Trump duke iu referuar marrëveshjes së tregtisë së lirë të Amerikës së Veriut që ai rinegocioi në mandatin e tij të parë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, qëllimi i pauzës së tarifave është t’u japë kohë prodhuesve të automjeteve amerikane për të zhvendosur zinxhirët e tyre të furnizimit brenda SHBA-së. Por Trump e bëri të qartë se nuk po anulonte luftën e tij tregtare me Kanadanë dhe Meksikën, pasi u bën presion të dy vendeve që të pengojnë kontrabandën e fentanilit.

Pas një telefonate me Kryeministrin kanadez Justin Trudeau, Trump tha se nuk ishte i bindur se situata ishte përmirësuar.

“Ai tha se është bërë më mirë, por unë thashë, kjo që ju po bëni nuk është mjaft e mirë”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.  Zyra e Trudeau tha se diskutimet do të vazhdojnë.

Statistikat zyrtare tregojnë se një pjesë e vogël e fentanilit në SHBA kalon kufirin kanadez.

Trump do të rishikojë nëse mund të eliminojë tarifën 10% për importet kanadeze të energjisë, të tilla si nafta e papërpunuar dhe benzina. Sekretari i Bujqësisë, Brooke Rollins i tha Bloomberg-ut se administrata mund të konsiderojë heqjen e tarifave nga produkte të veçanta bujqësore por “gjithçka është ende në tryezë”.

Klan News