Nuk kanë të ndalur protestat e dhunshme në Serbi këtë të enjte përpara bashkisë së kryeqytetit Beograd.
Qytetarë, këshilltarë bashkiakë, si dhe deputetë të opozitës u mblodhën përpara bashkisë, duke u përleshur me forcat e sigurisë që nuk lejuan hyrjen e tyre në godinë.
E njëjta situatë e ndezur vijoi paralelisht edhe brenda sallës së mbledhjes së këshillit të Beogradit ku opozita bllokoi foltoren, por përfaqësuesit e partisë së presidentit Vuçiç arritën që të miratonin të gjitha pikat e rendit të ditës.
Këshilltarët e opozitës mbanin në dorë flamujt e Serbisë ndërsa këndonin himnin kombëtar. Të paktën pesë aktivistë u arrestuan ndërkohë që ata do të mbahen për 24 orë në paraburgim për tubim të paligjshëm.
Presidenti Vuçiç duke iu referuar përleshjeve në parlament dhe në disa bashki të vendit deklaroi se dhuna nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar.
Klan News