Mosrespektimi i traditave dhe riteve fetare nga 24-vjeçarja Rayyan Alvvan dyshohet se është motivi i vrasjes së saj nga i ati 49-vjeçar.
Policisë së Tiranës i kanë mbërritur të dhëna nga Interpol, pasi janë pyetur anëtarë të familjes Alvvan në Gjermani.
Rezulton se vitin e shkuar 24-vjeçarja ka denoncuar në policinë gjermane se ishte dhunuar nga dy prindërit për shkak se nuk pranonte t’u bindej kërkesave të tyre për të ndjekur ritualet fetare.
Drejt kësaj piste janë drejtuar hetimet e policisë për të zbardhur shkaqet e plota të vrasjes së palestinezes në Tiranë. Ajo rezulton se është e divorcuar dhe nga martesa kishte 3 fëmijë, të cilët aktualisht janë me të atin e tyre në Liban.
Në biletat e udhëtimit policia ka gjetur dy numra identifikimi dokumentesh të Kosovës, por është e paqartë çfarë janë pasi kalimi është bërë me dokumente greke.
Nisur nga kjo, blutë e Tiranës i kanë kërkuar informacion Policisë së Kosovës nëse dy palestinezët kishin apo jo mjete identifikimi. Autori i dyshuar Fadi Alvvan dyshohet se fshihet në Liban, por deri tani nuk është kapur.
Dy palestinezë që jetonin në Berlin kishin prerë biletën vetëm ‘vajtje’ për në Shqipëri, pa rezervuar më parë për një vendqëndrimi. Ata erdhën në vendin tonë në datë 19 Shkurt, ndërsa pas krimit që besohet se është kryer tre ditë më vonë, me datë 22 Shkurt, 49-vjeçari Fadi Alvvan u largua nëpërmjet aeroportit të Rinasit.
Klan News