Java e Modës në Paris nisi të martën me shfaqjen e Schiaparelli. Stilisti Daniel Roseberry e ka bërë botën e modës të flasë për të dhe krijimet unike të frymëzuara nga arkiva e Schiaparelli.

Në gjenialitetin e tij u përfshi magjia e furçave të Pat McGrath, grimieres së njohur që edhe njëherë, ia doli të sillte detaje të cilat do t’i shohim ngado.

Modelet që ecën në pasarelë kishin të gjitha një të përbashkët, “sytë fjongo” që janë kthyer në trend. Ngjyra të ndritshme pastel që ngjyrosin kapakun dhe zgjaten përtej kockës së vetullës.

Talenti i Pat McGrath për të krijuar një pamje engjëllore dhe nga një botë tjetër dihet e ky është një nga rastet. Në një konferencë për shtyp, ajo shpjegon filozofinë pas punës me Schiaparelli.

“Sytë formësohen me tonalitete neutrale, theksohen me nuanca të ndritshme të verdhe limoni, rozë,  flori dhe blu, frymëzuar nga fjongot e vjetra që gjeti Daniel”.

Shkëlqimi i ngjyrave tregon elegancë, por përzgjedhja e tyre të përngjan me ndjesinë dhe butësinë e fjongove të vjetra të mëndafshit. Aplikimi imiton përdredhjen e fjongos duke krijuar idenë e lëvizjes dhe lirshmërisë. Një art ngjyrash./tvklan.al