Brenda 24 orësh “Park Fire“ ka djegur mbi 370,000 hektarë në rreth 144 km në veri të Sacramento, sipas Departamentit të Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri në Kaliforni. Zjarret janë përhapur drejt komuniteteve duke vënë në rrezik më shumë se 4,000 ndërtesa ndërsa deri më tani nuk kanë shkaktuar asnjë lëndim apo vdekje.
Urdhrat e evakuimit dhe paralajmërimet janë lëshuar për shumë komunitete në disa qarqe, duke përfshirë një paralajmërim për Paradise, qyteti që u shkatërrua nga zjarri i vitit 2018, më vdekjeprurësi në historinë e shtetit.
Ndërkaq zjarri i Nixon, në Riverside në Kaliforni ka djegur deri më tani mbi 2,700 hektarë dhe temperaturat e larta, thatësira dhe erërat e forta kanë përhapur zjarrin në përmasa të mëdha. Në dispozicion janë vendosur helikopterë dhe qindra zjarrëfikës për të shuar flakët. Në pranga është vendosur një person i cili dyshohet për zjarrëvënie të qëllimshme.
Nga zjarret një re e trashë tymi mbuloi qiellin, duke zvogëluar dukshmërinë dhe duke krijuar një shkëlqim portokalli. Urdhrat e evakuimit janë në fuqi për pjesë të Aguanga. Aktiv mbetet gjithashtu zjarret edhe në Oregon ku zjarri i quajtur Durkee ka djegur më shumë se 288,000 hektarë në pjesën lindore të shtetit.
Presidenti amerikan Joe Biden në një deklaratë u shpreh se po monitoron situatën ndërsa premtoi gjithashtu mbështetje për komunitetet e prekura.
Klan News