Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas në një intervistë ka folur lidhur me një sërë sulmesh hibride të kohëve te fundit, objekt i të cilave ishin kabllot detare në zonën ekonomike suedeze të Baltikut.
“Ne nuk duhet t’i shohim këto ngjarje të izoluara, por si pjesë të një tabloje më të madhe. Duhet të kuptojmë se Rusia ka ndaj Evropës dhe arkitekturës së sigurisë evropiane synime, të cilat nuk kanë ndryshuar”, tha Kaja Kallas.
Ajo ndalet edhe tek marrëdhëniet e bllokut me administratën e re në SHBA nën drejtimin e Donald Trump.
“Ne jemi ende miq. Ne jemi ende aleatë. Kam zhvilluar këtë javë një bisedë telefonike shumë të mirë me sekretarin, Marco Rubio. Ne folëm për pjesë të ndryshme të botës ku bashkëpunojmë dhe diskutuam se ku mund të bëjmë më shumë. Kështu që kam besim se ne kemi një marrëdhënie të mirë”, tha Kallas.
Duke folur për qëndrimin dhe qasjen e SHBA-së ndaj Kievit shefja e Marrëdhënieve të Jashtme të Bashkimit Evropian, Kallas u shpreh se Uashingtoni është i vendosur për ti dhënë fund luftës në Ukrainë.
Klan News