Gjatë natës kaotike kur presidenti i vendit shpalli gjendjen e jashtëzakonshme ushtarake videoja e një përfaqësueseje së opozitës duke i marrë armën një ushtari korean është bërë virale në rrjetet sociale.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters Ahn Gwi-Ryeong, zëdhënëse e Partisë Demokratike ka folur për këtë moment.
“Nuk e kam kapur armën e para. Për të bllokuar ushtarët, u përleshëm. Dikush më kapi nga krahu dhe diçka më goditi në trup. Teksa përpiqesha të bllokoja trupat ushtarake, nuk e rrëmbeva armën me vetëdije. Mendimi im i vetëm ishte se duhej t’i ndaloja ata. I largova dhe bëra gjithçka që munda”, Tha Ahn Gwi- Ryeong.
E pyetur nëse e dinte se do të fitonte kaq shumë vëmendje, Ahn thotë:
“Kishte shumë njerëz më të guximshëm se unë që kundërshtuan trupat ushtarake. Protestuesit që nuk mundën të hynin në Asamblenë Kombëtare për shkak të bllokimit të ushtrisë dhe policisë, ata arritën të ndalonin edhe makinat e blinduara luftarake jashtë. Pra, nuk mendoj se veprimet e mia ishin të veçanta dhe nuk prisja që videoja të merrte kaq shumë vëmendje.”
Ndërkohë komandanti i ushtrisë është shprehur se ushtria nuk kishte ndërmend të qëllonte ndaj njerëzve. Zëvendësministri i Mbrojtjes tha se trupave ushtarake nuk iu dha municion i vërtetë. Ligjvënësit e opozitës koreano-jugore planifikojnë të votojnë këtë fundjavë për shkarkimin e presidentit.
Klan News