Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka kërkuar nga vendet anëtare të NATO-s që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5 % të PBB-së . Megjithatë, vendet anëtare të NATO-s duket se nuk janë të gatshme për të ndjekur një propozim të tillë.

Agjencia e lajmeve Reuters e cila citon zyrtarë dhe analistë shkruan se vendet e aleancës ka të ngjarë të shkojnë përtej objektivit aktual por e kanë të pamundur të ndjekin propozimin e Trump.

Zyrtarët nga vendet e NATO-s  bien dakord që shpenzimet e mbrojtjes duhet të rriten më tej, por nuk miratuan shifrën prej 5%, që analistët thonë se do të ishte politikisht dhe ekonomikisht e pamundur për pothuajse të gjithë vendet anëtare pasi do të kërkonte miliarda Dollarë fonde shtesë.

Megjithatë, një objektiv i ri ka të ngjarë të arrihet në një samit të NATO-s në Hagë në Qershor, i nxitur nga frika se Rusia mund të sulmojë një vend të NATO-s pas Ukrainës. Sipas Reuters, pyetja që lind është se cili do të jetë objektivi i ri dhe nëse do të mjaftojë për të kënaqur Trump.

Aktualisht Polonia, e cila kufizohet me Ukrainën, është vendi anëtar i NATO-s që shpenzon më shumë për mbrojtjen dhe pasohet nga Estonia me 3.43% dhe Shtetet e Bashkuara me 3.38%.

Klan News