Presidenti rus, Vladimir Putin, në konferencën vjetore foli për luftën në Ukrainë, ku u shpreh se ishte gati të bënte kompromis në bisedimet me Kievin, të ndërmjetësuara nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së Donald Trump.
“Çfarë mund t’i ofroj presidentit të zgjedhur Trump kur të takohemi? Së pari, nuk e di kur do të takohemi sepse ai nuk thotë asgjë për këtë. Unë jam i gatshëm në çdo kohë, dhe do të jem gati për një takim nëse ai dëshiron.”
I pyetur nëse Rusia kishte kushte paraprake për të filluar bisedimet me Ukrainën për një zgjidhje të mundshme Putin u përgjigj.
“Sa i përket parakushteve për fillimin e negociatave, ne nuk kemi. Jemi të gatshëm të zhvillojmë dialog pa parakushte, por në bazë të asaj që kemi rënë dakord, e kam thënë tashmë njëqind herë, gjatë procesit të negociatave në Stamboll në fundin e vitit 2022, por edhe në bazë të realitetit në terren sot”.
Presidenti rus ndër të tjera theksoi se vendi i tij ishte gati për një ‘duel’ raketor me Shtetet e Bashkuara që do të tregonte se si raketa e re Oreshnik mund të mposhtë çdo sistem të mbrojtjes raketore amerikane.
“Le të përcaktojnë ndonjë objektiv për shkatërrim, le të themi në Kiev, të përqëndrojnë të gjitha forcat e tyre të mbrojtjes ajrore dhe të mbrojtjes raketore atje. Ne do të godasim atje me Oreshnik dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne jemi gati për një eksperiment të tillë, por a është gati pala tjetër?”
Putin u shpreh gjithashtu se Rusia është bërë shumë më e fortë që kur ai urdhëroi trupat në Ukrainë në vitin 2022. Reuters raportoi muajin e kaluar se Putin ishte i hapur për të diskutuar një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë me Trump, por përjashtoi mundësinë e bërjes së ndonjë lëshimi të madh territorial dhe këmbënguli që Kievi të braktiste ambiciet e tij për t’u bashkuar me NATO-n.
Klan News