Presidenti katalanas Puigdemont vijon të qëndrojë i mbyllur në pallatin presidencial me këshilltarët më të afërt për të studiuar hapin e radhës. Hyrja në fuqi e nenit 155 të Kushtetutës spanjolle është çështje orësh dhe Puidgemont është ndër të parët që mund të arrestohet pasi prokuroria e akuzon për rebelim.
Madridi nga ana e tij këmbëngul se vendimi për pezullimin e autonomisë nuk ishte një grusht shteti ndaj Katalonjës dhe të premten senati spanjol i kontrolluar nga partia e kryeministrit Rajoi, do të miratojë vendimin e marrë nga qeveria për pezullimin e autonomisë.
Katalanasit kanë premtuar rezistencë duke marrë dhe mbështetjen e partisë spanjolle Podemos.
Presidenti katalanas është nën presion me palën pro pavarësisë që i kërkojnë të shpallë pavarësinë e rajonit sa më shpejt. Ndërsa nga ana tjetër është pala e moderuar që i bëjnë apel të shpëtojë vetëqeverisjen duke organizuar zgjedhje të parakohshme për të ndaluar aktivizimin e nenit 155 të Kushtetutës spanjolle.
Analisti katalanas Enric Hernandez, paralajmëron se aktivizimi i këtij neni mund të shkaktojë një revoltë civile, mosbindje qytetare, arrestimin e politikanëve, përplasje civile dhe dhunë, një katastrofë që sipas tij askush nuk po ndalon.
Të martën parlamenti do të vendosë se kur do të mbajë seancën për shpalljen e pavarësisë, të martën ose të mërkurën. Pra një ditë para se senati spanjoll t’i japë pushtet absolut kryeministrit Rajoi në Katalonjë.
Për shumë katalanas, vendimi i Madridit nuk është vetëm një goditje e fortë për autonominë dhe institucionet e tyre, por dhe një goditje në aspektin emocionial./ABC News