Nën hetim dy portet private për ngarkim-shkarkimin dhe depozitimin
Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të verë nën hetim për një periudhë afro 3-vjeçare tregun e ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të karburanteve.
Në bazë të një vendimi të marrë nga Komisioni i Konkurrencës, rezulton se gjatë 3 muajve do të merret në vëzhgim sjellja e dy ndërmarrjeve që kanë të drejta ekskluzive të porteve, ku ngarkohen dhe shkarkohen hidrokarburet, përgjatë Janarit 2017, deri në Tetor të këtij viti.
Vendimi i Autoritetit vjen pas studimeve të tregut, ku ka rezultuar se importi i karburanteve në këtë hapësirë kohore është shumë i përqendruar, me një tregues të nivelit CR3, që rezulton një treg me përqendrim mbi 80%.
Në këto kushte janë hapur dyshime se ndërmarrjet e shumicës në fushën e karburanteve importojnë me çmime të përafërta.
Janë vetëm dy operatorë që kanë koncesionin e ngarkim-shkarkimin dhe depozitimin e karburanteve: Vlora 1 në pronësi të Petrolifera në Vlorë dhe Porto Romano në afërsi të Portit të Durrësit.
“Referuar numrit të kufizuar të operatorëve, ku secili koncensionar operon me modele të ndryshme dhe zotëron pozitë dominuese në zonën gjeografike, dhe strukturës shumë të përqendruar të tregut të karburanteve, lind dyshimi për sjellje të mundshme antikonkurruese të ndërmarrjeve që operojnë në këto tregje, të cilat mund të çojnë në shkelje të ligjit.”
Lënda kryesore që importohet në Shqipëri, 80%, është naftë dhe 20% benzinë. Importet e karburanteve janë ulur në 2018-n dhe janë rritur në dy vitet e fundit.
Aktualisht, pavarësisht çmimeve të ulëta të naftës në tregjet botërore, Shqipëria vijon të ketë vlera më të larta se vendet e rajonit, ku përveç ngarkesës me taksa, dyshimet së fundi janë për vendosjen e kushteve të padrejta të konkurrencës kompanive importuese, duke sjellë një treg me numër të kufizuar blerësish të cilët kanë çmime blerjeje të përafërta me njëri-tjetrin.
Tv Klan