Policia e Kosovës ka dalë me një deklarim të fundit në lidhje me vrasjen në Skënderaj. Sipas njoftimit, një i dyshuar është arrestuar për këtë rast.
“Në cilësi të të dyshuarit është arrestuar i dyshuari H.I., 62-vjeçar të cilit i janë konfiskuar tri armë-revole, ndërsa në kërkim policor mbetet edhe një person tjetër i dyshuar”, ka njoftuar Policia.
Ndërkaq, bazuar në hetimet fillestare, Policia thotë se të shtënat kanë ndodhur brenda një lokali në rrugën “Sala e Hamit Jashari” në Skenderaj, ku si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit dhe plagëve të pësuara, ka humbur jetën viktima I.I., mashkull i moshës rreth 42-vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës.
Nga veprimet e deritanishme hetimore, Policia tha se është realizuar bastisje në shtëpinë e të dyshuarit ku është gjetur dhe konfiskuar një armë e gjatë, një karikator me 30 fishekë e gjithashtu edhe 15 fishekë të një kalibri tjetër.
“Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve së bashku me prokurorin e shtetit po vijojnë hetimet për arrestimin edhe të një personi tjetër të dyshuar si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, u tha në njoftimin e Policisë./klankosova.tv