Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga zgjedhjet parlamentare të 9 Shkurtit ka nisur me një ditë vonesë të martën në disa komuna të vendit, duke nxitur kritika ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se numërimi ka filluar në vendvotimet e rregullta në Prishtinë, Obiliq, Lipjan dhe Partesh, ndërsa në komunat e mbetura pritet të fillojë nesër.
“Në komunat tjera numërimi do të fillojë pasi të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura teknike dhe administrative”, tha Elezi duke folur për gazetarë të martën në qendrën e numërimit të votave në Sallën 1 Tetori në kryeqytet.
Në zgjedhjet e 9 Shkurtit garuan 1.280 kandidatë nga 28 subjekte politike për t’u zgjedhur në Kuvendin me 120 ulëse.
Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), i cili e ka vëzhguar fushatën zgjedhore dhe votimin, tha të martën se vonesat “janë të papranueshme dhe dëmtojnë besimin në procesin zgjedhor”.
Sipas ligjit në fuqi, në vendvotimet e rregullta, fillimisht numërohen vetëm votat për subjektet politike, ndërsa verifikimi i tyre dhe numërimi i votave për kandidatët e subjekteve politike duhet të nisë ditën pas zgjedhjeve.
Kryetari i Aleancës për Ardhmerinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për, siç tha ai, “dështimin e plotë” të sistemit të KQZ-së në zgjedhjet parlamentare.
“Raportimet që po marrim nga terreni dëshmojnë për një skemë të organizuar të manipulimit të rezultateve zgjedhore. Përmes kontrollit politik të KQZ-së dhe ‘sistemit të dështuar teknik’ i cili po ndodh qëllimshëm, po tentohet të ndryshohet vullneti i qytetarëve”, tha Haradinaj, ka dhënë ndonjë provë për këtë.
Elezi tha se vonesat në fillimin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë “nuk janë të mëdha”.
I pyetur se sa do të zgjasë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, Elezi tha se “brenda pak ditësh”, por shtuar se nuk mund të japë afat të caktuar.
Kjo është hera e parë që votat e kandidatëve për deputetë numërohen në vendet ku u votua, për shkak të ndryshimeve ligjore të cilat mundësuan të votohen deri në dhjetë kandidatë për deputet nga pesë sa ishte më herët.
Në tri palë zgjedhjet e fundit parlamentare KQZ-ja kishte certifikuar rezultatet rreth një muaj pas ditës së zgjedhjeve pasi në disa raste ishin rinumëruar votat për shkak të parregullsive.
Elezi theksoi se gjatë këtij procesi të numërimit do të bëhet edhe verifikimi i votave të subjekteve politike nga këto zgjedhje.
Ai shtoi se pas përfundimit të këtyre procedurave, KQZ-ja do ta fillojë numërimin e votave jashtë Kosovës, votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta. Mbi 104.000 votues u regjistruan për të votuar jashtë Kosovës në këto zgjedhje.
Ndërkohë, kur janë numëruar mbi 99% e votave vetëm për subjektet politike, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, i ka fituar 40.81% të votave, sipas KQZ-së.
Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës i ka fituar 22.16% të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës i ka siguruar 17.60% të votave.
Koalicioni mes Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës dhe NISMA-s, fitoi 7.46% të votave. Ndërkohë, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, i fitoi 4.43% të votave.
Zgjedhjet e 9 Shkurtit ishin zgjedhjet e para të rregullta që Kosova ka mbajtur që nga shpallja e pavarësisë.
Vëzhguesit thanë se zgjedhjet ishin të qeta, me disa parregullsi, por pa incidente të mëdha.
Dalja ishte 40.59% e mbi 1.9 milion votuesve me të drejtë vote në Kosovë. Paraprakisht, për këto zgjedhje kanë votuar edhe diaspora, përmes postës, por edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës në botë./REL