Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi në lidhje me një mesazh që lexoi më herët gjatë ditës kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit të PS. Sipas mesazhit thuhej se gjyqtari që ka në dorë çështjen e Erion Veliajt dhe një tjetër që ka gjykuar çështjen “Toyota Yaris”, “janë kamikazë të PD-së në GJKKO”.

Berisha në një konferencë për mediat mohoi që ta njihte gjyqtarin në fjalë. Sipas tij, Rama u mundua që ta kompleksonte gjykatësin, ndërsa mesazhi tha se është dërguar nga Irena Gjoka dhe ministri Ulsi Manja.

“Hyri në biografinë e një gjykatësi që nuk e njoh, nuk e kam takuar kurrë. Nga ato që dëgjova, ai dhe çdo gjykatës si ai, çdo qytetar si ai duhet të ndihet krenar me të shkuarën e tij se nuk është bir xhelati si Edi Rama. U përpoq ta kompleksojë me një mesazh dixhital të dërguar nga Irena Gjoka dhe Ulsi Manja së bashku. Qytetari dixhital e morët vesh kush ishte? Irena dhe Ulsiu. Lexonte këtu dhe sytë i kishte të Ulsi. E tradhtonte, se unë e ndoqa. U mor me biografitë, çdo njeri mund të merret, por Edi Rama kurrë. Edi Rama ka trashëgimi një baba xhelat, që ka firmosur vrasjen në litar të Havzi Nelës. Nuk ka ky asnjë lloj të drejte mbi tokë, të ndalet në biografinë e kujt se është i djathtë apo i majtë. Çfarë do që të jenë janë një mijë herë më mirë se ai që është bir i një xhelati dhe s’ka kërkuar falje deri më sot për Havzi Nelën”, tha Berisha.

Sipas kryedemokratit, Rama u përpoq që me fjalën e tij të mobilizonte krimin kundër kreut të opozitës. Sa i përket çështjes “Toyota Yaris” dhe akuzave të Ramës se ka publikuar dokumente që ishin të ndaluara, Berisha u shpreh se do i bëjë publike ato ku provohen lidhjet e krimit me politikanët.

“U përpoq në fjalën e tij të mobilizonte botën e krimit kundër meje. Toyota Yaris i ngeli në gojë dhe unë ua them shqiptarëve se në mënyrë absolute, çdo dokument që do të kem, në të cilin provohen lidhjet me krimin të këtyre qeveritarëve kriminelë dhe faqezinj, që shkelmojnë mbi besimin tuaj, mbi votën tuaj, unë do ua bëj publik. Sot ata mbrohen, sepse në qoftë se Altin Mercenari do vepronte, Taulant Balla do ishte në burg dhe Edi Ramës i duken normale veprimet kriminale të Taulant Ballës dhe shqetësohet nga denoncimi i Sali Berishës dhe i kërkon përgjegjësi Altinit të tij pse unë publikoj. Unë do publikoj çdo dokument Edi Rama, përveç dokumenteve intime të cilat nuk i publikoj. As tuat. Të tjerat, çfarë kanë lidhje me publikun, çdo gjë”, tha Berisha./tvklan.al