Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama lexoi edhe një mesazh nga qytetari dixhital, të cilin tha se e ka verifikuar me emër dhe mbiemër.
Duke iu referuar gjyqtarit të çështjes së Veliajt, qytetari i ka shkruar, se në fakt është i angazhuar në të gjitha çështjet e veçanta që kanë target njerëzit e Partisë Socialiste.
Por në mesazh qytetari përmend edhe një gjyqtar tjetër që sipas tij njihet “familjarisht si ekstremist i lartë” dhe që ka trajtuar më së shumti kërkesat për eksponentë të Partisë Socialiste.
Siç duket mesazhi për kryeministrin vjen nga vetë brenda GJKKO që thotë se “bëhet fjalë për dy kamikazë të PD-së që nuk e kanë problem ta shprehin në mjedisin tonë kënaqësinë e të marrit në dorë” të çështjeve kur përfshihen eksponentë të PS-së, “duke thënë që ne do t’i shkrijmë”.
Në fund, kryeministri pati një thirrje për kryetarin e SPAK, Altin Dumani që të kërkojë gjurmët e vendimit për çështjen “Toyota Yaris” dhe të tregojë se pse ka përfunduar në duart e kryetarit të opozitës, Sali Berisha, të cilit Rama i referohet si “bufi i kënetës”.
Edi Rama: Unë nuk merrem me qytetarin dixhital, ju e dini shumë mirë, por nuk mund të mos e lexoj tani një mesazh që më erdhi mbrëmë dhe nuk qytetar dixhital është njeri me emër dhe me mbiemër se e verifikova.
“Ju dëgjova me vëmendje në këtë diskutimin nga dje, sot e si në vijim. Unë jam një dashamirës brenda vathës ku një i quajtur “X,Y”, nuk po ia them emrin, merr urdhra nga një i quajtur “Y,X”, nuk po ua them emrin. Janë emra konkretë. Por ka dhe diçka tjetër që nuk ju e thatë. E bëtë pyetjen pse tani dhe jo më parë? Pse dy javë, një muaj, më parë për shembull, sepse pikërisht tani ishte i gatshëm i njëjti gjyqtar, i angazhuar në të gjitha çështjet e veçanta me target njerëzit tuaj. Gjyqtarët njësoj si dhe prokurorët krahas shorteve elektronike për menaxhimin e punës organizohen edhe në javë e ditë gatishmërie për kërkesa të ngutshme dhe ngjarje të cilat kanë nevojë të trajtohen përmes disa veprimeve të menjëhershme”.
Natyrisht kjo është e ngutshme dhe e menjëhershme, është për ngjarjet alarmante besoj unë, ndodhi tani, krimi urgjent, duhet ta marrim, ta bëjmë. Jo Nesti. Nesti ishte aty që në Shkurtin e kaluar.
“Qartazi është selektuar gjyqtari në këtë rast dhe ju informoj se gjyqtarë të tjerë nuk kanë pranuar që t’i rrinte të njëjtës kërkesë për arrest sepse gjyqtari mund vetëm të zbusë masën e kërkuar, jo ta ashpërsojë, por edhe pse ju ligjin e keni bërë për një garanci më shumë, në fakt keni garantuar vetëm atë 100% e vulosjes së kërkesave të prokurorisë. Ky gjyqtar e ka nisur karrierën si koleg zyre me, këtë emrin nuk po e them se e keni në parlament këtë, kur ishte në Ministri të Drejtësisë dhe kur ministër ishte Eduart Halimi. Eduart Halimi nuk ka problem se është njeri i lirë, pastaj përfundoi në GJKKO. Ky dhe një tjetër, “X, Y” nga qyteti “X” i njohur familjarisht si ekstremist i lartë kanë trajtuar më së shumti kërkesat për eksponentë të PS-së. Disa herë në vendimet e tyre ata e kanë kaluar cakun e gjyqtarit për kërkesat paraprake duke bërë konsiderata që ligji nuk ua lejon dhe duke kërkuar ashpërsimin e masave të kërkuara nga prokurorët. Për shembull të hetohet edhe për këtë vepër, të hetohet edhe ky, ose do ishte mirë të kërkohej kjo masë nga prokuroria.
I tillë është dhe rasti “X” që diskutohet shumë si një skandal në të gjitha rrethet e juristëve. Së dyti, i njëjti gjyqtar është gjyqtari paraprak për dosjen “Toyota Yaris”. Këta qytetarët dixhitalë janë hall i madh. Ka urdhëruar ndalim publik të vendimit të tij gjë që nuk e bën, por përkundrazi bën të kundërtën, për rastet kur duhet të përbalten njerëzit e PS, për shkak se aty përmenden shumë kolegë të tyre. Por ama ditën 1, vendimin e pati në dorë prapë njëri që e keni në parlament, dhe tani e ka, këtij ja them emrin unë, bufi i kënetës, nuk e ka shkruajtur kështu këtu, që ua lexon shqiptarëve komunikime nga Encrochat në parlament. Dhe të gjitha janë pjesë e përmbajtjes ndaj këtij vendimi gjyqësor, i ndaluar për t’u përhapur dhe publikuar”. Ku jemi këtu ne? Kjo është vepër penale. Kjo është vepër penale.
“Pra bëhet fjalë për dy kamikazë të PD-së në GJKKO që s’e kanë asnjë problem ta shprehin në mjedisin tonë kënaqësinë e të marrit në dorë të këtij dhe të atij duke thënë që ne do t’i shkrijmë”. Tani këtu se është qytetar dixhital këto janë lehtësisht të provueshme. Altin Dumani të kërkojë gjurmët e vendimit të Toyota Yaris dhe t’ia thotë publikuat si kanë përfunduar në monologët e bufit të kënetës meqë qenka një vendim i ndaluar për publik dhe dihet kush e ka marrë. /tvklan.al