Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga zgjedhjet parlamentare të kësaj fundjave, do të fillojë nesër, më 11 Shkurt. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Radion Evropa e Lirë se në të njëjtën kohë do të bëhet edhe verifikimi i rezultatit të subjekteve politike nga këto zgjedhje.
Elezi tha se pas përfundimit të këtyre procedurave, KQZ-ja do ta fillojë numërimin e votave jashtë Kosovës, votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta. Mbi 104.000 votues u regjistruan për të votuar jashtë Kosovës në këto zgjedhje. Në zgjedhjet e 9 Shkurtit garuan 1.280 kandidatë nga 28 subjekte politike për t’u zgjedhur në Kuvendin me 120 ulëse.
Ndërkohë, kur janë numëruar mbi 99 për qind e votave vetëm për subjektet politike, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, i ka fituar 40.81 për qind të votave, sipas KQZ-së. Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës i ka fituar 22.16 për qind të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës i ka siguruar 17.60 për qind të votave.
Koalicioni mes Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës dhe NISMA-s, fitoi 7.46 për qind të votave. Ndërkohë, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, i fitoi 4.43 për qind të votave. Zgjedhjet e 9 Shkurtit ishin zgjedhjet e para të rregullta që Kosova ka mbajtur që nga shpallja e pavarësisë. Vëzhguesit thanë se zgjedhjet ishin të qeta, me disa parregullsi, por pa incidente të mëdha.
Dalja ishte 40.59 për qind e mbi 1.9 milion votuesve me të drejtë vote në Kosovë. Paraprakisht, për këto zgjedhje kanë votuar edhe diaspora, përmes postës, por edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës në botë. Në garë ishin 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur për përbërjen e re prej 120 ulësesh të Kuvendit të Kosovës, institucion që më pas do të zgjedhë ekzekutivin e ri./REL