Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka përfunduar dëshminë e tij në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas 5 orësh. Veliaj u paraqit në ambientet e SPAK në orën 08:56 dhe doli nga Prokuroria në orën 14:13.
Pasi ka lënë ambientet e SPAK, kreu i Bashkisë Tiranë nuk ka dhënë asnjë prononcim për mediat teksa është shprehur se do të flasë në Këshillin Bashkiak.
Paraqitja e Veliajt në SPAK erdhi 20 ditë pas kontrollit që hetuesit e Byrosë Kombëtare ushtruan në banesën e tij në kuadër të “hetimit pasuror”.
Po atë ditë, BKH kreu kontrolle në biznesnin e bashkëshortes së Veliajt dhe i sekuestroi asaj telefonin, si dhe në banesën e të vëllait të tij.
Me argumentet se nuk ekzistonte asnjë shkak i ligjshëm për të ushtruar kontrolle, familjarët e kryebashkiakut Erion Veliaj, ankimuan vendimet e kontrolleve.
Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të mos pranojë ankimin e bërë nga Ajola Xoxa dhe Arbër Veliaj për kontrollet e ushtruara në datën 6 Dhjetor.
Ndërkohë, 2 ditë më parë, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa u pyet për 3 orë në SPAK.
Në komunikimet e tij publike pas kontrolleve të BKH-së, kryebashkiaku tha se është i hapur dhe bashkëpunues me hetimet që të zbardhet e vërteta e sulmeve politike. (Lexo më shumë)
Hetimet në lidhje me “hetimin pasuror” ndaj Erion Veliajt po kryhen nga prokurori i posaçëm, Ols Dado.
Tv Klan