Partia e Punëtorëve të Kurdistanit njoftoi këtë të shtunë shpalljen e një armëpushim me Turqinë, duke i dhënë fund një lufte që ka zgjatur për 41 vjet. Vendimi i PKK-së vjen pak ditë pas apelit të bërë nga themeluesi dhe udhëheqësi i saj Abdullah Oçalan i cili ndodhet në burgjet turke.

“Për të hapur rrugën për zbatimin e thirrjes për paqe dhe një shoqëri demokratike, ne shpallim një armëpushim që nga sot”, tha komiteti ekzekutiv i PKK në një deklaratë të transmetuar nga agjencia ANF, e cila është e lidhur me lëvizjen e armatosur.


“Ne pajtohemi me përmbajtjen e apelit dhe deklarojmë se do ta respektojmë dhe zbatojmë atë”, sqaroi PKK në mesazhin e saj, i cili ishte shkruar me shkronja kapitale në turqisht.

PKK shtoi se shpreson që Ankaraja të lirojë Oçalanin, i cili është mbajtur pothuajse në izolim total që nga viti 1999, në mënyrë që të udhëheqë procesin e çarmatimit.

“Udhëheqësi Abdullah Oçalan duhet të jetë në gjendje të jetojë dhe të punojë me liri natyrore dhe të ketë marrëdhënie të papenguara me këdo që dëshiron, përfshirë miqtë e tij”, tha PKK.

Nëse ky armëpushim është i suksesshëm do t’i japë fund një konflikti që ka vrarë më shumë se 40,000 njerëz që kur PKK, tani e vendosur në malet e Irakut verior, nisi kryengritjen e saj të armatosur në 1984.

Tv Klan