Avionët ushtarakë të Turqisë morën hak për sulmin terrorist të Mërkurës në Ankara. Ushtria turke njoftoi vrasjen e 41 militantëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, gjatë bombardimeve ajrore në Irak dhe Siri natën mes të Mërkurës dhe të Enjtes.
PKK e shpallur nga Ankaraja si organizatë terroriste konsiderohet si përgjegjëse për sulmin e të Mërkurës në selinë e kompanisë shtetërore të prodhimit të mjeteve ajrore ushtarake.
Ministria e brendshme e Turqisë tha se terroristët kurdë vranë 5 punëtorë të kësaj fabrike dhe plagosën 22 të tjerë.
Sulmi u krye nga dy militantë të armatosur të organizatës kurde që shfaqen edhe në këto filmime të kamerave të sigurisë. Ata u ekzekutuan nga njësitë speciale të policisë së Ankarasë, pasi qëlluan me armë kë iu doli para dhe shpërthyen edhe një bombë në një taksi pranë fabrikës.
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ndodhej në një takim me Vladimir Putinin në Kazan të Rusisë në kuadër të samitit të BRIKS-it, kur u njoftua për ngjarjen. Putin i shprehu atij ngushëllimet. Sulmin e dënoi edhe Shtëpia e Bardhë.
Tv Klan