Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka shpërthyer kundër SHBA-ve të martën, të cilët i akuzoi se po përpiqen të mashtrojnë Ankaranë duke bashkëpunuar me grupet terroriste në Siri.
Gjatë fjalimit në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim, Erdogan tha: “Nëse jemi partnerë strategjikë, duhet të na respektoni. Ju jeni përpjekur të na mashtroni.”
Ai tha se SHBA-të u kanë dërguar 5 000 kamionë me armë për kurdët në Siri, të cilët Turqia i quan grupe terroriste.
“Ne kërkuam t’ju blejmë armatime. Ju nuk na i dhatë ne, por ua dhatë organizatave terroriste pa para. Çfarë lloj partneriteti është ky? Ne tani po i shkatërrojmë plotësisht këto tunele me armë dhe municionin po e konfiskojmë gradualisht.”
Tensioni mes SHBA-ve dhe Turqisë është rritur qëkur ushtria turke ka hyrë në Siri dhe ka nisur luftën kundër kurdëve, të cilët Uashingtoni i ka mbështetur me armatime në luftën kundër ISIS.
Në kuadër të operacionit Dega e Ullirit, Turqia ka vrarë më shumë se 3600 luftëtarë kurdë, të cilët i cilëson terroristë dhe rrezik për sigurinë e saj kombëtare.
Më herët edhe Kryeministri turk, Binali Yildirim, ka akuzuar SHBA-të se po aplikojnë një embargo të fshehtë ndaj Turqisë duke refuzuar tu shesin armë. /tvklan.al