#lajme, #edicioniinformativ ora 19:30 data 2 Maj 2024 #TvKlan #KlanLajme
Spiker: Reis Çiço
Headlines 2 Maj 2024
Ali Ahmeti, “Qytetar nderi” i Tiranës. Rama: Të drejtat e shqiptarëve në “RMV” janë për meritë të tij
Kreu i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti u shpall sot “Qytetar nderi” i Tiranës. Në një ceremoni të posaçme, kryeministri Edi Rama tha se të drejtat që gëzojnë sot shqiptarët në Maqedoninë e veriut janë meritë e tij.
Pagat e policisë, rritje të konsiderueshme brenda korrikut. Balla: Po e diskutojmë në qeveri
Ministri i Brendshëm Taulant Balla zbulon se duke nisur nga 1 korriku pagat e punonjësve të policisë do të rriten sërish. Ai tha se projekti është në fazë diskutimi në qeveri dhe se bëhet fjalë për një tjetër rritje të konsiderueshme.
Gjendet i pajetë një çift të moshuarish në banesën e tyre në Dropull. Policia: Janë dhunuar
Një çift të moshuarish, 84 dhe 88 vjeç u gjetën të pajetë mëngjesin e sotëm në një fshat të Dropullit. Policia thotë se ata janë dhunuar me sende të forta në kokë, por mbeten mister autorët dhe motivet e ngjarjes.
Shqipëria, e para në Europë për pasagjerët nga ajri. Aci: Shënoi rritje me 233.3 përqind
Shqipëria renditet sërish e para mes 47 vendeve në Europë për fluksin e pasagjerëve përmes linjave ajrore. Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve raporton se gjatë muajit mars numri i shtetasve që udhëtuan me avion u rrit me mbi 233.3%.
Ekspertët: Nuk ka vend për panik nga vaksina “Astra Zeneca”. Efektet, në periudhë afatshkurtër
Shkaktoi jo pak shqetësim deklarata e kompanisë Astra Zeneka se vaksinat e saj mund të shkaktonin mpiksje gjaku. Megjithatë ekspertët thonë se nuk ka vend për panik pasi efektet anësore jepen në moment dhe jo pas një kohe të gjatë.
Dërgimi i trupave në Ukrainë, Macron: Nuk përjashtojmë asnjë mundësi. Europa, në rrezik
Presidenti i Francës Emanuel Makron përmend sërish mundësinë e dërgimit të trupave tokësorë në Ukrainë. Në një intervistë për “The Economist”, Makron thotë se asgjë nuk përjashtohet për sa kohe as pala tjetër nuk përjashton asgjë.
UEFA rinxjerr në shitje 100 mijë bileta të “Euro 2024”. Kërkesat e shumta mbingarkojnë faqen online
Mbi 100 mijë bileta të Euro 2024 u nxorën në shitje nga UEFA këtë të enjte ku nuk munguan as ato për ndeshjet e Shqipërisë. Kërkesa ishte 5 herë më e lartë duke bërë që në momente të caktuara faqja online e UEFA-s të bllokohej.
/tvklan.al